Të hënën në Beograd do të mbahet mbledhje e përbashkët e Qeverive të Maqedonisë dhe Serbisë, gjë që ka vendosur në hallë të madh BDI-në. Ajo akoma nuk ka vendosur nëse ministrat e saj do marrin pjesë në këtë seancë. Kjo sipas partisë Ahmetit do të vendoset në bazë të temave që do të caktohen për këtë seancë. Zv/kryeministri për çështje evropiane Fatmir Besimi i cili konfirmoi mbledhjen tha se ai personalisht nuk do të marrë pjesë në këtë takim për shkaqe objektive pasi nga java tjetër fillon ofensivën diplomatike. Sipas tij, mbledhje të tilla të përbashkëta do të bëhen edhe me vendet e tjera fqinje.
"Takime të tilla do të ketë jo vetëm mes qeverive të Maqedonisë dhe Serbisë por do të ketë edhe mes Maqedonisë dhe Shqipërisë dhe Maqedonisë me Kosovën dhe shteteve të tjera që do të jenë të interesuara siç janë Greqia dhe Bullgaria .Është e paraparë të diskutohen temat që kanë të bëjnë me bashkëpunim rajonal në fusha të ndryshme të infrastrukturës dhe temave që kanë të bëjnë me integrimet euro-atlantike. Bashkëpunimi rajonal mbetet si paradhomë e prioritetit tonë të përgjithshëm të integrimeve euro-atlantike dhe në këtë drejtim vazhdon bashkëpunimi me të gjitha vendet me të cilat ka mundësi për avancim dhe bashkëpunim në të gjitha fushat. Pas Serbisë, tani më procedurat janë në fazë të avancuara edhe me Shqipërinë dhe Kosovën", deklaroi Fatmir Besimi, zv/kryeministër për çështje evropiane.
Megjithatë jo-zyrtarisht mësojmë se asnjë prej ministrave të BDI-së nuk do të marr pjesë në këtë mbledhje. Mbetet enigmë se pse kryeministri Greuvski vendosi që mbledhjen e parë të përbashkët ta bëjë me qeverinë serbe e jo me vendet e tjera fqinjë siç janë Bullgaria apo Shqipëria e Kosova. Semra Jakupi