Komuna e Tetovës rrezikon funksionimin normal për shkak të borxheve të trashëguara nga udhëheqësia e mëparshme prej më shumë se tetë milion euro. Kjo u bë e ditur nga kryetarja e Komunës, Teuta Arifi, sipas së cilës, borxhet janë si rezultat i menaxhimit të keq dhe punës jo transparente ish drejtuesve komunal.
"Borxhi i komunës arrin vlerën e 492 milion denarë ose 8 milion euro e cila shumë paraqet 30% e buxhetit vjetor të komunës. Në kushte të zakonshme për tu kthyer ky borxh administrata e komunës do të duhej ti ndalojë ofrimin e shërbimeve të saja qytetarëve të Tetovës për një vit të tërë pasi që kjo komunë për ta kthyer borxhin prej 8 milion eurosh duhet të funksionojë vetëm me 30 milion denarë", deklaroi Teuta Arifi, kryetare e komunës së Tetovës.
Për kapërcimin e gjendjes aktuale, Arifi paralajmëroi rishikimin e buxhetit dhe masa tjera të kursimit.
"Në këto kushte të jashtëzakonshme ne kësaj do i përgjigjemi me masa urgjente të cilat do të merren për stabilizimin financiar të komunës janë rebalanci i buxhetit, revidimi i planit të furnizimeve publike, revizioni i kontratave financiarisht të dëmshme për komunën dhe ri programimi i borxhit të komunës", tha Teuta Arifi, kryetare e komunës së Tetovës.
Arifi ka paralajmëruar edhe hetime nga organet kompetente, me qëllim që fajtorët për situatën e krijuar në komunë dhe ndërmarrjet publike të japin llogari. Bashkim Sulejmani