TIRANE - Tre gjeneralët e shkarkuar nga Presidenti Nishani, Gjeneral Brigade Sandër Lleshi, Gjeneral Brigade Dhori Spirollari dhe Gjeneral Brigade Abaz Lleshi kanë dalë sot në një konferencë shtypi për të treguar shkaqet e vërteta që fshihen pas lirimit të tyre nga poste kryesore drejtuese të Forcave të Armatosura.
Nëpërmjet një deklarate për shtyp 7 faqe, 3 gjeneralët kanë argumentuar pse-në e lirimit, me një dekret, vetëm me një rresht dhe të paargumentuar të firmosur nga Presidenti Bujar Nishani.
Me 3 dekret që mbajnë datën 21 maj, Presidenti Nishani firmosi lirimin nga detyra të Zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Gjeneral Brigade Sandër Ndue Lleshi, komandantin e Forcës Ajrore, Gjeneral Brigade Dhori Vangjel Spirollari dhe Komandantin e Brigadës së Mbështetjes Rajonale Gjeneral Brigade Abaz Liman Lleshi.