Formimi i Komisionit Hetimor dhe çështja e emrit janë dy pikat kyçe në bëzë të të cilave shtetet anëtare do të japin vërdiktin për Maqedoninë në Samitin e qershorit të Bashkimit Evropian. Kështu deklaroi zv/kryeministri për çështje evropiane Fatmir Besimi i cili, takimin e sotëm me gazetarët e shfrytëzoi për t'i bërë thirrje palëve nënshkruese të Marrëveshjes politike të 1 marsit, që t'i lënë mënjanë interesat partiake dhe përmes guximit dhe lidershipit të formojnë Komisionin hetimor për ngjarjet e 24 dhjetorit. Në kuadër të çështjes së emrit, Besimi tha se vendi çdo ditë është më afër zgjidhjes, por vendimtare sipas tij, do të jetë ecuria e procesit të bisedimeve që po zhvillohet në Nju Jork. Me qëllim të shoshitjes së mosmarrëveshjeve me fqinjët, Besimi njoftoi se ka kërkuar takim edhe me përfaqësuesit e Qeverisë se re bullgare, përpara Samitit të 28 qershorit. Numri 'dy' i qeverisë tha se për këto angazhime, dhe reformat evropiane, do të njoftojë qeveritë e kryeqendrave evropiane në ofensivën e tij të re diplomatike. Besimi njoftoi se në fillim të qershorit do të vizitojë Londrën, Brukselin, Parisin, Berlinin, Madridin dhe Dablinin, ndërkohë që do t'u dërgojë letra me argumente të gjithë deputetëve evropianë që patën votuar 'kundër' apo 'abstenuan' rezolutën e Parlamentit Evropian mbi Maqedoni. I pyetur nëse ofensiva e tij diplomatike është e vonuar, Besimi ironizoi se "futboll luhet 90 minuta dhe se çdo përpjekje për kontakte direkte me shtetet anëtare shkon në dobi të Maqedonisë dhe marrjes së datës së negociatave." Zv/kryeministri për çështje evropiane, nga ana tjetër, duke komentuar dështimin e Samitit të presidentëve në Ohër, tha se vendi humbi shansën për të dërguar porosi për një bashkëpunim të përforcuar rajonal. Semra Jakupi