Mbrojtja e mjedisit dhe rëndësia e ndarjes së mbetjeve për riciklim është rikthyer sot në vëmendjen e qytetarëve. Ambasadori amerikan në Shqipëri, Alexandër Arvizu nëpërmjet takimit të fundit në serinë e kampionëve të "Vepro tani" ka bërë apel për riciklimin. Ambasadori Arvizu ka treguar eksperiencën e tij në këtë drejtim.
"Çdo ditë kur bëja hedhjen e mbeturinave i ndaja ato sipas përmbajtjes. Bashkëshortja më thoshte se ky veprim nuk ishte i nevojshëm, pasi njerëzit me njihnin për funksionin që kisha. Por unë i thoja se ky është një veprim i mirë që duhet ta bëjnë të gjithë", tregoi Arvizu.
Programi i veçantë "Unë Ricikloj" është cilësuar me çmimin "AKT NOW". Këtë çmim Ambasadori i jep organizatave jo qeveritare për rolin e tyre në implementimin e projekteve që informojnë publikun dhe apelojnë për ndryshime pozitive në komunitet.
"Riciklimi është një nga gjërat më të thjeshta për t'u realizuar. Sikurse mund ta shikoni ka ndarje të veçanta për letër, për plastikë dhe për kanaçe. Çdo ditë e më shumë ne kemi një program më të përparuar riciklimi dhe nëse realizohet ai ne kemi mjedis më të pastër. Mund të kujdesemi të paktën për gjysmën e nevojave të riciklimit", tha Ambasadori Arvizu.
Organizata "Eco Volis" ka punuar për t'i treguar qytetarëve që duke u bërë bashkë mund të punohet për jetën më të mirë të komunitetit.
Fushata "Unë Ricikloj" është një apel ndaj shoqërisë që t'i kushtohet më shumë vëmendje problemit në rritje të menaxhimit të mbetjeve. "Eco Volis" ka shpërndarë në Tiranë, në parqe, rrugë dhe zyra, kazanë për grumbullimin e mbetjeve të riciklueshme.