Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Hasan Halilaj, së bashku me drejtorët e bashkisë së këtij qyteti, kanë dalë sot ne mesditë në një konferencë për shtyp për të deklaruar largimin nga Partia Demokratike dhe bashkimin me Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Ai e ka deklaruar largimin e tij me argumentin se "Qeveria nuk ka miratuar thuajse asnjë prej projekteve të premtuara, ndërsa LSI-ja duket shumë më premtuese".
"Përderisa qeveria aktuale e Partisë Demokratike nuk ishte mbështetëse e probleme tona, ose nuk realizon këto premtime që u kemi bërë bashkë qytetarëve, pasi unë deri ditën e sotme kam qenë pjesë e kësaj force politike. nga dita e sotme e në vijim unë nuk do të jem më pjesë e kësaj force politike, për të vetmen arsye se ato nuk kanë denjuar një herë të vetme të takojnë kryetarin e bashkisë për të zgjidhur problemet. Unë nuk jam kryetar bashkie vetëm për PD, por jam për të gjithë qytetarët e Kukësit, dhe jam përpjekur të bëj të gjitha tratativat. Nuk është në dëshirën time, pasi është përzgjedhja që kanë bërë vetë. Konkretisht është iniciativa e jashtëzakonshme e z.Olldashi që mos të zgjidhë asnjë lloj problemi në lidhje me ujësjellësin, me landfield-in, dhe të gjitha problemet që ka pasur bashkia e Kukësit", tha Halilaj.
Në fjalën e tij, kreu i bashkisë së Kukësit u shpreh "Kam 6 vjet që kërkoj të takoj kryeministrin, por nuk ka arritur asnjëherë ta takoj, dhe është fat i keq që e shprehi sot se ndoshta dhe moment fushate, por kam takuar shpesh herë ministrat, ndër to edhe ministrin noka e kam takuar me dhjetëra herë dhe nuk po më zgjidhet asnjë lloj problemi. Kryeministri ska patur ndoshta kohën e duhur të takojë kryetarin e bashkisë për 6 vjet, një herë te vetme jam takuar me të, jam takuar në momentet kur është hapur Universiteti, dhe falë Universitetit të Tiranës, dhe asnjë lloj mbështetje nga qeveria shqiptare, sot po funksionon më së miri, Universiteti i Kukësit".
Hasan Halilaj, kryetari i bashkisë së Kukësit prej 2 mandatesh nën siglën e PD-së, nga sot do të jetë në strukturat e LSI-së. Vendimi është marrë në mungesë të vëmendjes, përkrahjes dhe mungesës së investimeve në sektorët më jetikë siç është mungesa e ndërtimit të ujësjellësit të ri, ndërtimi i rrugëve, mungesa e investimeve në ndërtimin e shkollave të mesme, pasi mësimi zhvillohet me dy turne dhe nuk ka ambient të përshtatshëm. Problematikë për këtë qytet është uji i pijshëm pasi prej 7 vitesh Kukësi në sezonin veror vuan mungesën e furnizimit me ujë.