Nisë rikonstruksioni i rrugës Haraçinë-Likovë

2015-08-21 3

Rruga rajonale që lidh Komunën e Haraçinës me atë të Likovës, si dhe të gjithë fshatrat e Karadakut do të rikonstruohet dhe asfaltohet. Gjatë përurimit të nisjes së punimeve, zv/kryeministri Musa Xhaferi tha se investimet infrastrukturore mbeten prioriteti kryesor i Qeverisë. Sipas tij, rruga Haraçinë-Likovë do të realizohet në tre faza dhe do të kushtojë mbi 5 milion euro.

"Sot këtu shënojmë fillimin e rekonstruimit dhe asfaltimit të rrugës rajonale, nga Haraçina në Komunën e Likovës, përkatësisht fazën e parë të rrugës që përfshin diku 15 kilometra. Realizimi i kësaj faze do të kushton mbi 2 milion euro dhe ne mendojmë se korniza e projektit është rreth 5 milion. Do të ketë rikonstruim dhe zgjerim të rrugës, rruga përafërsisht sipas parametrave teknike do të ketë diku 6 metra gjerësi dhe ne mendojmë se i plotëson standardet si rrugë rajonale.Kjo është vazhdimi i realizimit të programit qeveritar dhe partiak, ashtu edhe siç kemi premtuar", tha Musa Xhaferri -- zv/kryeministër për implementimin e MO-së.

Ndërkohë kryetari i Komunës së Haraçinës dhe ai i Likovës u shprehën të kënaqur pasi me rikonstruimin e kësaj rruge në gjatësi prej 30 kilometrash, do të lehtësohet jo vetëm qarkullimi i banorëve të këtyre zonave por edhe i ekonomive të tyre individuale.

"Rregullimi kësaj rruge do të lehtësojë ngarkesën e madhe të qytetarëve të Komunës së Haraçinës, pasi kjo rrugë lidhë edhe fshatrat e Likovës, një rrugë mjaftë e frekuentuar dhe ky premtim i cili ishte edhe para zgjedhjeve, po realizohet falë partisë në pushtet që i takojmë ne si strukturë dhe Qeverisë. Mendojë se me projekte të tilla Qeveria duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen", tha Brahim Ajvazi, kryetar i Komunës së Haraçinës.

"Premtimi i dhënë para qytetarëve të Likovës dhe Haraçinës, po realizohet. Unë përgëzojë Qeverinë për punët që i bëjnë, edhe më tutje do të realizohen punë të mira, bashkë institucion, komunë dhe Qeveri me qëllim që qytetarëve tu lehtësohet jetesa dhe investitori sa më shpejtë të vijë edhe në këto treva", u shpreh Sadulla Duraku, kryetar i Komunës së Likovës.

Faza e parë e rikonstruimit të rrugës rajonale Haraçinë-Likovë do të përfundojë brenda një viti. Nuk ka afate për dy fazat e tjera. Valmir Kuçi