Testimi ekstern nisi sot në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme në vend. Në disa shkolla ai nisi me vonesë dhe jo në orën 09 e 30 kur edhe ishte parashikuar. Pas reagimit të menjëhershëm të autoriteteve të Ministrisë së Arsimit, problemi u kapërcye dhe testimi ekstern i nxënësve vazhdoi normalisht. Një ndër shkollat ku vlerësimi ekstern nuk nisi në kohë ishte edhe Shkolla Fillore 'Liria' në Shkup. Drejtori i këtij institucioni tha se arsyet për vonesën e testimit ishin teknike.
"Meqë nuk mund të shkarkojmë programin nga Ministria e Arsimit, pra pyetjet nuk mund ti marrim, prandaj edhe kemi një vonesë, për 1 orë e gjysmë nuk ka nisur testimi. Ndërkohë ne u dëgjuam me disa punonjës të Ministrisë së Arsimit, ata na thanë që testimi do të vazhdojë dhe do të shtyhet për aq sa është vonuar testimi. Për mendimin tim është mjaft i rëndësishëm testimi për të dalluar ata mësues që punojnë, nga ata mësues që nuk angazhohen sa duhet", tha Talat Sadiku, drejtor i SHF 'Liria' Shkup.
Ndërkohë për të vëzhguar nga afër vijueshmërinë e testimit ekstern, në terren doli edhe zv/Ministri i Arsimit, Safet Neziri. Ai tha se testimi ekstern është mirëpritur nga nxënësit, prindërit e tyre dhe mësimdhënësit.
"Ky është një aktivitet i gjerë në nivel të Republikës së Maqedonisë dhe ne si Ministri e Arsimit konstatojmë se është një aktivitet i startuar dhe shumë i suksesshëm. Ka pasur disa probleme teknike që ka zgjatur 10-15 minuta dhe me intervenimin e administratës së Ministrisë së Arsimit janë tejkaluar problemet dhe testimi ekstern ka vazhduar me kontinuitetin e njëjtë dhe krahas atyre 15 minutave që ka pasur vonesë, nxënësit përsëri sipas ligjit iu është mundësuar që nga 60 minuta t'iu jepen përgjigje atyre 30 pyetjeve të parashtruara në testin ekstern", deklaroi Safet Neziri, zv/ministër i Arsimit.
Në gjimnazin 'Zef Lush Marku' dhe Shkollën e mesme të qytetit të Shkupit 'Cvetan Dimov' për dallim nga shkollat e tjera nuk kishte vonesë në nisjen e testimit ekstern. Sipas organeve përgjegjëse të këtyre shkollave, gjithçka ishte në rregull dhe të gjithë nxënësit ishin të pranishëm.
"Sa i përket testimit ekstern, ne kemi filluar në kohë, nuk ka pasur ndonjë problem. Problemet softuerike që kanë pasur shkollat tjera për fat të mirë tek ne nuk janë paraqitur. Gjithçka është në rregull, gjithçka po rrjedh sipas planit të paraparë. Në bisedë me nxënësit, ata që dolën të parët nga testimi, thonë se pyetjet nuk kanë qenë të vështira, profesorët kanë qenë të kënaqur, në përgjithësi është mirë", tha Shaip Zeneli, drejtor i SHM 'Cvetan Dimov'.
Nxënësit që anketuam, gjatë realizimit ët testimit, u shprehën të kënaqur nga pyetjet dhe thanë se nuk ishin të rënda.
'Pyetjet janë nxjerrë nga mësimet që kemi mësuar gjatë tërë vitit, nuk janë aq të vështira'.
'Ato mësime që i kemi mësuar gjatë tërë vitit janë përfshirë në këtë testim ekstern. Mund të përgjigjem në to'.
'Pyetjet nuk janë të vështira, janë të gjitha që kemi mësuar në shkollë gjatë tërë vitit'.
'Të gjitha ...