'Ligji për media', të inkorporohen vërejtjet dhe rekomandimet

2015-08-21 1

Risi të shumta në draft ligjin për mediat, të cilat mund të jenë kontestuese në rregullimin e sferës së lirisë së shprehjes dhe veprimtarisë së tyre. Një prej risive është shqetësuese, sipas përfaqësuesit të Qendrës për zhvillimin e mediave Roberto Beliçanec. Bëhet fjalë për Komisionin Rregullator i cili sipas këtij propozimi ligji, duhet të ketë një drejtor me kompetenca të gjëra, që mund të kontestojë pavarësinë e këtij institucioni.

"Risi e madhe është edhe mënyra se si është konstituuar Rregullatori. Deri tani ishte trup kolektiv, i cili kishte garanci për mëvetësi. Propozimet për plotësimet e tij vinin kryesisht nga sektori civil. Tani bëhet fjalë për një agjenci të centralizuar e cili ka drejtor me kompetenca të gjëra dhe këshill joprofesional, për dallim nga ajo që ishte deri tani. Tani numri më i madh i kompetencave që kanë të bëjnë me pavarësinë e agjencisë, i janë dhënë drejtorit të agjencisë" , deklaroi Roberto Beliçanec, Qendra për zhvillimin e mediave.

Zv/ kryeministri për çështje evropiane Fatmir Besimi thekson se draft ligji për median, i cili është ende në fazë të diskutimit publik, mund të pësojë ndryshime bazuar në vërejtjet e opinionit publik në Maqedoni dhe rekomandimeve të ekspertëve të Bashkimit Evropian.

"Ajo që mendojmë se në këtë periudhë mund të jetë produktive, janë që komentet tuaja të dërgohen në Ministrinë e Shoqërisë Informative. Ato do të shqyrtohen, pastaj bashkë me konsultimet me ekspertë të BE-së, Ligji do të marrë propozime të reja, të cilat do të prezantohen në mënyrë transparente para përfaqësuesve të kësaj sfere", u shpreh Fatmir Besimi, zv/kryeministër.

Drejtori i Zyrën për Demokraci në USAID Majkëll Stivejter, në debatin publik për draft-ligjin e medias, porositi autoritetet të bëjnë kujdes në përgatitjen e legjislacionit që rregullon lirinë e shprehjes. Kritikat e raporteve të ndryshme në këtë fushë, sipas tij, duhet të merren parasysh gjatë përgatitjes së ligjit në fjalë.

"Jam i sigurt se ju të gjithë jeni në dijeni për Raporte të ndryshme për mediat, në sferën e lirisë së shprehjes në Maqedoni. Disa prej tyre përmbajnë shqetësime. Kjo është çështje që prek drejtpërdrejtë pushtetin. Sot keni mundësi që të diskutoni përparësitë dhe mangësitë e draft-ligjit për media, dhe të prezantoni rekomandime dhe zgjidhje të cilat do të jenë të pranueshme për komunitetin mediatik", tha Majkëll Stivejter, USAID.

Në këtë debat publik, edhe pse të ftuar, nuk morri pjesë asnjë përfaqësues nga Ministria e Shoqërisë Informative, të cilët si propozues të ligjit, duhej të mbronin draft-ligjin para pjesëmarrësve. Benjamin Arifi

Free Traffic Exchange