Kandidati për kryetar të LSDM-së Kire Naumov shpalosi programin me të cilin do të kërkojë votën për kreun e partisë më të madhe opozitare. Naumov premtoi ripërtëritje të LSDM-së në një parti serioze dhe stabile. Fushatën e deritanishme për zgjedhjen e kreut të LSDM-së Naumov e ka vlerësuar si korrekte, edhe pse përsëri ka nënvizuar problemin me listën e delegatëve, për të cilën ai reagoi që në fillim të procedurës, duke kërkuar që listat të jenë publike.
"Duke filluar nga ajo se si filloi procedura e tërë, mendoj se Këshilli qendror në prill solli vendim korrekt për atë se si duhet të shkojnë afatet dhe si duhet të zhvillohet fushata deri më 2 qershor. Mendoj se ka shkuar dhe po shkon në mënyrë korrekte, me atë që mbeti problemi me atë se lista e delegatëve a do të jetë e fshehtë apo e hapur për opinionin", tha Kire Naumov, kandidat për kryetar të LSDM-së.
Ish drejtori i shërbimit për zbulim dhe kundërzbulim Kire Naumov është një prej katër kandidatëve për kryetar të LSDM-së. Ai do të garojë me tre nënkryetarët aktual të LSDM-së Igor Ivanovski, Zoran Jovanovski dhe Zoran Zaev. Edhe pse anëtarësia dhe mbështetësit e LSDM-së po mbledhin firmat e nevojshme për kandidimin e kryetarit aktual Branko Cërvenkovski, kandidatura e tij akoma nuk është zyrtarizuar. Por statuti i LSDM-së lë të hapur mundësinë që edhe në ditën e mbajtjes së Kongresit, delegatët të propozojnë kandidatë shtesë. Benjamin Arifi