Tiranë, kreut të PS në Prezë i djegin banesën dhe biznesin

2015-08-21 2

TIRANE- Në ditën e parë zyrtare të fushatës elektorale shënohet një incident i rëndë. Persona ende të paindentifikuar i kanë vënë flakën banesës dhe biznesit të kryetarit të PS-së në Prezë të Tiranës, Lavdi Kaimaku.

Prek disa kohësh në krye të Partisë Socialiste në komunën Prezë, Lavdi Kaimaku njëkohësisht dhe pronar i firmës së luleve Kaimaku denoncon zjarrvënien në pronën e tij si një akt të qëllimshëm që sipas tij ka lidhje me postin politik që ai mban.

Ngjarja është shënuar rreth orës 03:00 të mëngjesit të sotëm, ku Kaimaku ka marrë një telefonatë nga kunata e tij e cila e ka njoftuar se biznesi dhe shtëpia e tyre po digjej.

Raportohet se janë shkaktuar tetë vatra zjarri. Fatmirësisht ndërhyrja e të afërmve ka mundur të shpëtojë bashkëshorten dhe djalin 12- vjeçar.

Dëmet materiale janë të mëdha, duke u djegur fasada e zyrave të biznesit të tij dhe banesës, si dhe gjysma e fidanishtes. Përveç tyre edhe një kamion me targën AA513GF është djegur. Zjarrfikëset kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve, si dhe shpëtimin e një pjese të biznesit.
Eskpertët janë ende duke punuar pasi pista kryesore mbetet ajo e një zjarrvënie të qëllimshme por ende motive mbetet i pazbardhur.