Emisioni "5 Pyetje nga Babaramo" solli në studion e gazetarit Ilir Babaramo, deputetin dhe kandidatin socialist të Gjirokastrës, Arben Ahmetaj.
Anëtari i kryesisë së PS dhe kandidati për deputet në Qarkun e
Gjirokastrës foli dhe mbi situatën parazgjedhore në kampin e
majtë duke përfshitë këtu edhe LSI.
Ahmetaj e vuri theksin tek fusha që ai mbulon në programin e PS-së, ekonomia dhe industria, duke nënvizuar sërish rishikimin e kontratave konçensionare në vend, të cilat janë plotësisht të mundura të ndryshojnë duke filluar nga aspekti juridik i tyre dhe duke u trajtuar sipas standarteve ndërkombëtare për të mos rrezikuar arbitrazhin.
Ai vuri në dukje gjithashtu se Shqipëria nuk ka të drejtën sovrane mbi naftën, fakt që e ka publikuar edhe "Forbes", ç'ka do të thotë se asnjë përqind e shitjes së saj nuk hyn në buxhetin e shtetit kur minimalisht duhet të hynin 30%. Lidhur me faturat e papaguara të punëve publike të shtetit ndaj biznesit, ai llogariti shumën e 350 milionë dollarëve, të barabarta me një rënie prej 2.5% të ekonomisë.
Përsa i përket çështjes së KQZ-së, për të cilën u pyet që në krye, Ahmetaj tha se KQZ duhet të balancohet 3 me 3 dhe një anëtar të pavarur dhe pse jo, nëse duhet, të ndryshojë edhe ligji.Ahmetaj tha gjitashtu se me LSI, PS do të jetë në betejë dhe për mandatin e katërt.