Dibër, asnjë zgjidhje për Qendrën Ditore të fëmijëve me nevoja të veçanta

2015-08-21 3

Rikthehen problemet në Qendrën Ditore të fëmijëve me nevoja të veçanta në Dibër. Të punësuarit në këtë qendër ditore tash 17 muaj nuk i marrin pagat e tyre, ndërsa nuk e kanë të zgjidhur edhe statusin e punës. Katër të punësuarit e kësaj qendre ditore kërkojnë që statusi i tyre të jetë i barabartë me të gjithë të punësuarit tjerë në qendrat ditore në Maqedoni. Ata akuzojnë Ministrin e Punës dhe Politikës Sociale Spiro Ristovski se nuk e mban premtimin për zgjidhjen e problemit të tyre.

"Deri më sot nuk është realizuar premtimi i dhënë nga Ministri i Punës dhe Politikës Sociale z. Spiro Ristovski. Statusi i katër të punësuarve si dhe transport i katër të punësuarit dhe transporti I fëmijëve. Lusim Ministrin që të na japi një përgjigje të saktë për këtë problem që na preokupon pesë vjet radhazi", tha Jehona Borova, e punësuar.

"Statusi i katërt punësuarve ende nuk është zgjedhur,gjithashtu edhe pagat tona që 17 muaj ende nuk i kemi marrë,i bëjmë thirrje Ministrit dhe i kërkojmë zgjidhje të problemit tonë", tha Arlinda Mulladauti, e punësuar në qendrën ditore.

"Edhe një herë dua të potencoj se,derisa problemi jonë edhe më tej mbetet i pa zgjedhur,ne jemi të gatshëm,së bashku me ekipin tonë dhe me prindërit,të shkojmë përpara Ministrisë dhe ti kërkojmë të drejtat tona", u shpreh Shejat Qamiloski, i punësuar i qendrës ditore Dibër.

Në muajin shkurt të këtij viti, ministri i punës dhe politikës sociale Spiro Ristovski tha se për pagat e papaguara fajtore është komuna e Dibrës, gjë e cila ishte kundërshtuar nga ish kryetari i Komunës së Dibrës Argëtim Fida dhe ish ministri i punës dhe politikës sociale Xhelal Bajrami.

"Komuna le ti përmbush tërësisht të gjitha detyrimet. Pas zgjedhjeve dhe pas heqjes së ndalesës për punësime, Ministria e Punës do të zbatojë pjesën e vet të detyrimit. Mirëpo, unë edhe më tej jam në qëndrimin se në atë periudhë ai vendim ishte i nxituar, nuk ishin rregulluar obligimet dhe komuna përkatëse nuk i realizoi plotësisht detyrimet e veta", deklaroi kohë më parë Spiro Ristovski, ministër i Punës dhe Politikës Sociale.

Sot edhe prindërit e fëmijëve që trajtohen në këtë Qendër ditore shprehen të shqetësuar për mos funksionimin e rregullt e këtij institucioni. Ata thonë se fëmijëve nuk u sigurohet transporti dhe ushqimi.

"Dua të theksoj se këto katër vjet ne kemi pritur që ky problem të zgjidhet,por fatkeqësisht ky problem shkon duke u zmadhuar. Këto shtatë muajt e fundit ndërpritet ushqimi dhe transporti për fëmijët tanë dhe me këtë u mohohet e drejta fëmijëve tanë", tha Buran Destanovski, prind.

Qendra ditore e fëmijëve me aftësi të kufizuara në Dibër aktualisht ka shtatë fëmijë të regjistruar. Për regjistrim janë paraqitur edhe fëmijë të tjerë,por pengesa kryesore janë kushtet dhe statusi i pazgjedhur i të punësuarve. Durim Etemi

Free Traffic Exchange