Në Komunën e Çuçer Sandevës vazhdojnë problemet me gjuhën shqipe. Të punësuarit në këtë komunë mohojnë të ketë pengesa për përdorimin e gjuhës shqipe në këshillin e kësaj komune . Ata thonë se janë krijuar kushtet për zbatimin e ligjit për vetëqeverisje lokale, dhe se nga mbledhja e ardhshme këshilli do të fillojë me përdorimin e gjuhës shqipe.
"Reagimi i një pjesë të këshilltarëve të BDI-së në Këshillin e Çuçer Sandevës ishte e ngutur. Dy këshilltarë dolën, njëri mbeti nga i njëjti grup këshilltarësh. Komuna dhe Këshilli i Çuçer Sandevës nuk do të vepron në kundërshtim me ligjin për Vetëqeverisje Lokale", tha Aleksandar Përshevski, sekretar i Komunës Çuçer Sandevë.
"Nuk është e vërtetë se kryetari i Komunës nuk dëshiron të lejojë gjuhën shqipe. Ai djali u ngut. Ne kemi bë marrëveshje me kryesinë qendrore të BDI-së se kur do të flitet gjuha shqipe në këtë komunë. Ai djali u ngut pak, por mendimi im është se dëshira e tij ishte vetëm që të del para kamerave", u shpreh Nuri Nusri, i punësuar në komunë.
Javën e kaluar dy nga tre këshilltarët e BDI-së në këtë Komunë lëshuan mbledhjen e Këshillit Komunal, për shkak të anashkalimit të gjuhës shqipe. Mbledhjen nuk e braktisi këshilltari i tretë i BDI-së Bejtulla Koka. Arsyetimi i tij dhe të punësuarit tjetër në administratën komunale Nuri Nusri është se mungesa e kushteve ka bërë që në mbledhjen e parë të këshillit komunal, të mos përdoret gjuha shqipe. Por ata theksojnë se kushtet janë krijuar që nga mbledhja e ardhshme, në këtë komunë të fillojë të zbatohet dygjuhësia.
"Jo, nuk ka pasur përdorim të gjuhës shqipe për shkak të kushteve. Ishte edhe ish ministri i Pushtetit Lokal dhe i pa kushtet. Tani kemi arritur kushtet, dhe punët të cilat i ka parashikuar kryetari i komunës, dhe tani nuk ka pengesa", tha Nuri Nusri, i punësuar në komunë.
Në objektin e Komunës së Çuçer Sandevës nuk ka asnjë mbishkrim në gjuhën shqipe. Nga ana tjetër brenda objektit mund të shihen lajmërime në gjuhën serbe, që thërrasin në manifestim për nderimin e luftëtarëve serb në Kosovë. Benjamin Arifi