Përmes një organizimi në formë spektakli në Pallatin e Kongreseve, Konventa Zgjedhore e Partisë Socialiste nisi punimet paraditen e djeshme me prezantimin e të gjitha partive aleate dhe gjatë pasdites, të 140 kandidatëve për deputetë.
Seancën e pasdites së djeshme e mbylli skuadra e fundit e kandidatëve, ajo e qarkut të Vlorës drejtuar nga kreu i PS-së, Edi Rama, i cili tha: "Unë jam krenar, sepse ne, PS-ja, jemi lokomotiva e një transformimi të madh, jemi forca udhëheqëse e një aleance, e një bashkimi të madh që do t'i kthejë Shqipërisë të drejtën për t'u qeverisur nga shumica! Unë jam krenar sepse për të gjitha këto arsye, pas një rrugëtimi të vështirë në opozitë, në 23 Qershor ne do fitojmë!"
Gjatë paradites së djeshme krerët e 40 partive pjesë e koalicionit "Aleanca për Shqipërinë Europiane" hipën në podiumin e Pallatit të Kongreseve për të bërë thirrje për të votuar më 23 qershor për rilindjen e Shqipërisë nën një qeverisje me në krye kreun e PS-së Edi Rama.