Vlorë, Rama kandidat mes emocionesh familjare e nga fëmijëria

2015-08-21 6

Përmes një mitingu të pazakontë dhe tepër emocionues, kryetari i PS-së, Edi Rama është prezantuar sot në Vlorë për herë të parë si kandidat për deputet. Nuk ishte ndjerë asnjëherë aq i emocionuar, si para një provimi, njeriu i cili prej vitesh ka mbajtur sa e sa fjalime në salla të hapura dhe të mbyllura. Sot për kreun e PS-së ishte diçka tjetër dhe e jashtëzakonshme: Do i kërkonte vlonjatëve votën për t'i përfaqësuar si deputet në Parlamentin që do të dalë në zgjedhjet e 23 qershorit, dhe për t'i dhënë vendit një qeverisje të majtë bashkë me koalicionin "Aleanca për Shqipërinë Europiane"

"E kam vënë emrin në Vlorë jo për t'ia bërë vetes më të lehtë, por për të marrë mbi vete përgjegjësitë për të përfaqësuar kryeqytetin e historisë dhe Pavarësisë së shqiptarëve."- tha Rama duke i dhënë përgjigje të gjithëve pse kishte vendosur të kandidonte si deputet në Vlorë, aty ku në plazhin e Skelës në vitet '60-të kishte kaluar fëmijërinë. Sot pas më shumë se 50 vite premton se do ta shdërrojë në portin e Mesdheut dhe brenda mandatit të parë të bëjë sa nuk është bërë në 20 vite të marra sëbashku.

Rama e nisi prezantimin me një film dokumentar ku shfaqen disa foto të fëmijërisë së tij në plazhin e Skelës në Vlorë dhe më pas Gregori i biri rrëfeu për herë të parë luftën me sëmundjen e kancerit, dhe marrëdhënien e veçantë me babanë e tij të cilin e thërriste në emër: "Edi". Një dokumentar ku emocionet u përcollën dhe nga nëna e tij Aneta, bashkëshortja Linda dhe vajza e saj, Rea.

Para se të niste dokumentari Rama ironizoi fotot e publikuara nudo disa vite më parë në një plazh të Parisit, duke thënë se ka edhe dy foto të tjera nudo të bëra në Vlorë të papublikuara më parë "por që dikush nga ekipi mësohet t'i ketë fshirë në momentin e fundit"- tha Rama.

"Janë fotografi në plazhin e Skelës në vitet '60-të. Të një kohe, kur unë e kisha Vlorën ëndrrën e gjithë viti dhe kur gjithë viti më kalonte duke shkuar në shkollë për të marrë 10 se Aneta thoshte: Vetëm po të dalësh me të gjitha 10 do shkosh të bësh pushime në Vlorë. Vlora ishte për mua vendi ku unë ndihesha krejt i lire", tha Rama.