Bilalli: Identitetin e shpikën ata që nuk duan zgjidhje

2015-08-21 1

Analistët politikë shprehen të ndarë në mendime sa i përket deklaratës së liderit të BDI-së Ali Ahmeti se në zgjidhjen e çështjes së emrit nuk preket identiteti por bëhet fjalë vetëm për ndërrimin e emrit të shtetit. Analisti Mersel Bilalli shprehet se çështjen e identitetit dhe gjuhës në zgjidhjen e emrit e kanë përfshirë ata që nuk dëshirojnë zgjidhje të kësaj çështjeje. Ndërkohë Denko Malevski thekson se përplasja për identitetin është evidente!

"Nuk haset në histori se ndonjëherë është biseduar për identitete. Këtë e kanë shpikur ata që nuk duan zgjidhje të emrit, si pretekst që ta prolongojnë zgjidhjen apo si mjet shpëtimi nëse do të jen të detyruar që ta zgjidhin", u shpreh Mersel Bilalli, analist politik.

"Për fat të keq nuk është ashtu. Nga vet fakti se ne u nisëm në një interpretim më ndryshe të historisë më të largët, e cila na solli deri tek konflikti me fqinjët tanë nga ana tjetër, të cilët gjithashtu kanë një interpretim të ngjashëm lidhur me Maqedoninë antike. Donim apo nuk donim, ne e sollëm situatën deri në konflikt identitetesh... Dhe këtu qëndron problemi i madh i këtij litari që po lidhet rreth qafës sonë, në kontestin me Greqinë. Nëse nuk do ishte kështu atëherë ndoshta do të gjendej ndonjë zgjidhje me e lehtë, lidhur me emrin", deklaroi Denko Malevski, analist politik.

Sipas Bilallit, pas ofensivës diplomatike, BDI-së nuk i mbetet gjë tjetër veçse të shkaktojë një krizë politike në qeveri e më pas edhe në parlament. Vetëm kjo do e bënte faktorin ndërkombëtar akoma më aktiv për t'u përfshirë dhe përshpejtuar në një farë forme zgjidhjen e çështjes së emrit.

"Mendoj se bashkësia ndërkombëtare do të ketë mirëkuptim, madje sikur shqiptarët të ashpërsonin krizën qeveritare dhe parlamentare, mbase do tu jepte shkas që sa më shumë të involvohen në zgjidhjen e çështjes së emrit. Mendoj se nuk duhet gjithë peshën t'ia lëmë faktorit ndërkombëtarë ne duhet të krijojmë pozicion me ç'rast do ti japim shkas bashkësisë ndërkombëtare që ajo të involvohet dhe ta përshpejtoj procesin e zgjidhjes", tha Mersel Bilalli, analist politik.

Dy ditë më parë në emisionin "Rruga drejt..." lideri i BDI-së Ali Ahmeti u shpreh shumë i qartë, se çështja e emrit nuk e prek identitetin dhe gjuhën, e po ashtu, pjesë e zgjidhjes duhet të jenë doemos edhe shqiptarët që përbëjnë 30 për qind të popullatës. Bedri Rexhallari