Përurohet pika kufitare Xhepishtë-Trebishtë

2015-08-21 2

Ministrat e brendshëm të Shqipërisë dhe Maqedonisë, Flamur Noka dhe Gordana Jankullovska inauguruan sot pikën e kalimit kufitar në Xhepishtë-Trebishtë. Ministrja Jankullovska tha se hapja e kësaj pike erdhi pas kërkesës të qytetarëve të dy vendeve, ndërsa homologu nga Tirana vlerësoi se kjo pikë kufitare do të përmbushë të gjithë parametrat infrastrukturore.

"Sot morëm pjesë në hapjen solemne të pikës kufitare Xhepishtë-Trebishtë, sepse kjo ishte kërkesë e qytetarëve të këtij rajoni nga të dyja anët e kufirit. Kjo kërkesë qëndronte prej disa kohësh. Ne gjetëm forcën e përbashkët, me kuptim të ndërsjellë mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, duke i përmbushëm kërkesat teknike për të funksionuar kjo pikë kufitare. Hapja e kësaj pike kufitare do t'ua lehtësojë jetën qytetarëve të këtij rajoni".

"Ne jemi të vendosur që do ta çojmë deri në fund. Ju patë segmentin e rrugës, por të jeni të sigurt që punimet vazhdojnë. Është një rrugë e cila është në proces e sipër për të filluar asfaltimin me gjitha parametrat evropiane, dhe shumë shpejt do kemi kënaqësinë ta inaugurojmë përfundimin e punimeve të saj", tha Flamur Noka, ministër i brendshëm i Shqipërisë.

Dy ministrat e brendshëm u takuan edhe në pikën kufitare të Qafë Thanës ku inauguruan edhe qendrën kontaktuese mes dy ministrive, me qëllim menaxhimin e integruar të kufirit me dy vendeve. Gjithashtu, gjatë takimit, dy ministrat e brendshëm nënshkruan edhe një memorandum për bashkëpunim mes dy ministrive. Durim Etemi