Thaçi për 'Dnevnik': Tradhtarë janë tetovarët që votuan Ahmetin

2015-08-21 0

'Tani do të investoj që ta kenë akoma më keq. Çdo mëngjes, uji që pinë t'u bëhet helm. Çdo ditë kur të shikohen në pasqyrë, të thonë se janë shpirtra të shitur, se janë tradhtarë". Kështu është shprehur kreu i PDSH-së Menduh Thaçi, cituar nga e përditshmja 'Dnevnik'. Humbja në zgjedhjet e fundit lokale në bastionin e shqiptarëve e ka hidhëruar kreun e PDSH-së Menduh Thaçin, i cili tërë mllefin e ka shprehur ndaj tetovarëve, duke iu drejtuar se asnjëherë nuk do t'i falë.

"Shumë mirë që humbëm në Tetovë, sepse mendoj se kjo do iu pamundësojë tetovarëve të jenë dyfytyrësh. Tetovarët kishin një arsyetim; pse të mos votonin për mua dhe Sadi Bexhetin, por kishin 100 arsye që të mos votonin Ali Ahmetin dhe Teut Arifin. Arifi është mbesa e një UDB-ashi të njohur nga Tetova, i tillë është edhe Fatmir Besimi dhe Ahmeti. Shqiptarët e Tetovës u shitën, dikush për t'i mbrojtur vendet e punës, dikush për 500 denarë. Shpejtë do ta kuptojnë se jo që ka humbur partia, por edhe vet ata. Në rast se kanë dashur mua të më hakmerren, nuk e pranoj atë", ka deklaruar Thaçi për Dnevnik. Kreu i PDSH-së shkoi më larg, duke i quajtur plehra të kombit, të gjithë ata që kanë votuar opsionin tjetër politik.

"Jam krenar që arrita, që për mua të votojnë 13 700 shqiptarë të Tetovës, të cilët janë të ndershëm. Mbaj përgjegjësi vetëm para tyre, të tjerët i vlerësoj si plehra të kombit tim", tha mes të tjerash Menduh Thaçi.

Kreu i PDSH-së ka mohuar mbështetjen që BDI-ja i ofroi për komunën e Strugës, duke votuar në raundin e dytë për kandidatin e PDSH-së. Ai ka theksuar se votim etnik ka pasur tek pala maqedonase, dhe jo tek ajo shqiptare. Alsat-M