Sonte skadon afati për dorëzimin e kandidaturave për kryetar të LSDM-së. Sekretari i kësaj partie Andrej Petrov tha se janë paraqitur diku 12 kandidat, megjithatë në mbledhjen e Këshillit ekzekutiv që duhet të mbahet nesër ky numër mund të zvogëlohet dukshëm.
"Po arrijnë propozimet nga Organizatat komunale, bazuar sipas rregullores, të enjten do të mbahet mbledhja e Këshillit ekzekutiv në të cilën do të vërtetohet lista e kandidatëve më e ngushtë, në pajtim me vendimin e Këshillit qendror e cila pastaj do të shkoj para Organizatave komunale, për prezantimin e tyre që kjo të rezultojë me Kongresin e 2 qershorit ku do të zgjidhet kryesia e re e partisë. Deri tani 95 për qind e Organizatave komunale kanë përfunduar me obligimet e tyre, presim edhe atë pjesën e mbetur që ta bëjë atë", deklaroi Andrej Petrov, sekretar i LSDM-së.
Petrov shprehet se nuk e kupton frikën e disa kandidatëve nga mbledhja e firmave për mbetjen e Cërvenkovskit. Mbështetja për Cërvenkovskin vazhdon të jetë e madhe edhe përkundër faktit se LSDM-ja me në krye Cërvenkovskin disa herë radhazi ka pësuar humbje në zgjedhjet e fundit të organizuara në vend.
"95 për qind nga Organizatat komunale e kanë nominuar edhe presidentin aktual Cërvenkovskin. Më së shumti janë të propozuar ata tre kandidatë që janë më të eksponuar në opinion. Të gjithë ata që kanë frikë paranoike nga Cërvenkovski, mënyra e shërimit është më ndryshe dhe jo alibi për qëllimet e tyre personale. Megjithatë të mos flasim për numra për shkak të rrjedhës së procedurës. Në mbledhjen e Këshillit ekzekutiv do të ndërtohet qëndrim të cilin presim ta respektojnë të gjithë në frymën e unitetit të partisë", tha Andrej Petrov, sekretar i LSDM-së.
Petrov kritikon edhe paraqitjen në media të kandidatëve për kryetarë të LSDM-së. Sipas tij ata janë sjell sikur të ishin zgjedhje presidenciale në Amerikë, dhe se sipas tij sikur të ishin kaq shumë prezent në media edhe në kohën e zgjedhjeve lokale, ndoshta rezultati nga këto zgjedhje do të ishte më ndryshe. Ndërrimin e dy delegatëve të kongresit të LSDM-së nga Komuna e Karposhit, Petrov e arsyetoi me kandidimin e tyre për partinë përparimtare serbe në zgjedhjet lokale. Kongresi i LSDM-së është caktuar për më 2 qershor, dhe pretendentë për këtë fron janë Zoran Jovanovski, Zoran Zaev, Kire Naumov, Igor Ivanovski dhe Tanja Tomiq. Megjithatë emrat përfundimtarë pritet të publikohen pas mbledhjes së nesërme të Këshillit ekzekutiv. Bedri Rexhallari