Shqipëria mbështetë integrimin e Maqedonisë në NATO

2015-08-21 0

Shqipëria mbetet përkrahëse e madhe e Maqedonisë në procesin e integrimeve veriatlantike. Qëndrimin e tillë të Republikës së Shqipërisë, autoritetet nga Tirana ia përcollën ministrit të mbrojtjes Talat Xhaferi, i cili po qëndron në vizitë dy ditore në Tiranë. Në takim me homologun e tij, ministrin shqiptar të mbrojtjes Arben Imami, edhe njëherë u përsërit gatishmëria e Maqedonisë për anëtarësim në NATO, duke theksuar kontestin e emrit me Greqinë si pengesë të vetme.

"Bisedimet u përqendruan në çështje të ndryshme, çështja e parë dhe më e rëndësishme padyshim është integrimi i Maqedonisë dhe i gjithë rajonit në strukturat e veriatlantikut. Republika e Shqipërisë ka një qëndrim të palëkundur në atë që Maqedonia duhet dhe mundet të jetë anëtare e NATO-s. Shpresojmë që çështja e emrit, e cila është pengesa e vetme për Maqedoninë, të zgjidhet sa më shpejtë", deklaroi Arben Imami, ministër i mbrojtjes i Shqipërisë.

Përveç me ministrin Imami, Xhaferi zhvilloi takime edhe me presidentin shqiptar Bujar Nishani, kryeministrin Sali Berisha dhe kryeparlamentaren Jozefina Topalli.

"Të gjitha institucionet vazhdojnë të mbështesin përpjekjet e RM-së dhe institucioneve të saja në përcaktim të plotfuqishëm në NATO dhe në Unionin Evropian. Këmbyem informata për çështje shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me përpjekjet e përbashkëta në misionet e ardhshme kudo qoftë që marrim pjesë. Praktikisht ideja doli që në misionet e radhës në ISAF në periudhën post 2014 për faktin që pas asaj periudhe ndryshon formati i ISAFI-t në Afganistan, të kemi mundësi të pjesëmarrjes së përbashkët mes dy ministrive Maqedonisë dhe Republikës së Shqipërisë, për faktin që pjesëmarrja e përbashkët do të ulte edhe kostot e angazhimit tonë në këto misione", deklaroi Talat Xhaferi, ministër i mbrojtjes i RM-së.

Ministri Xhaferi iu falënderua krerëve të shtetit anëtarë të NATO-s për përkrahjen që po i japin Maqedonisë në procesin e euro-integrimeve. Ai, bashkë me përfaqësuesit e institucioneve shqiptare, u zotuan që Maqedonia dhe Shqipëria do të vazhdojnë të japin përkrahje në sferën e euro-integrimeve për Kosovën.

'Në takimet e ministrit Xhaferri me zyrtarët në Tiranë u vlerësua edhe marrëveshja Kosovë-Serbi, si marrëveshje e cila kontribuon për relaksimin e marrëdhënieve në rajon, dhe hap rrugën e Kosovës drejt integrimeve euro-atlantike'.
Nga Tirana për televizionin Alsat, Benjamin Arifi.