Dimovski: LSDM të zgjedhë kreun e Komisionit hetimor

2015-08-21 0

VMRO-DPMNE-ja i propozon LSDM-së opozitare që të zgjedhë kryetarin e Komisionit hetimor që do të shqyrtojë ngjarjet e 24 dhjetorit, kur opozita bashkë me mediat që raportonin në kuvend, u dëbuan me dhunë nga salla plenare. VMRO-ja gjithashtu kërkon që vendimet gjatë punës së komisionit, të merren me konsensus.

"LSDM-ja të propozojë kryetarin e Komisionit për vërtetimin e fakteve për ngjarjet e 24 dhjetorit brenda dhe jashtë parlamentit, të cilin ne do ta kishim pranuar. Por në frymën e konstruktivitetit, propozojmë që Komisioni gjatë punës së tij, të vendosë në mënyrë konsensuale. Një format i tillë, ku opozita do të ketë shumicën në komision dhe kryetarin e tij, e njëkohësisht Komisioni do të vendoste me konsensus, garanton se Komisioni njëkohësisht do të punoj me dinamikë dhe me përgjegjësi", deklaroi Ilija Dimovski, VMRO-DPMNE.

Sipas VMRO-s ky është një hap para drejt zhbllokimit të formimit të Komisionit. Por nga LSDM-ja, propozimi është jo serioz. Sipas tyre, VMRO-ja dëshiron të aktrojë publikisht konstruktivitet, por propozimi i saj nuk ka logjikë.

"LSDM-ja i ka propozuar VMRO DPMNE-së deri tani 7 kandidatë për kryetarë, dhe ka pranuar një nga propozimet e pushtetit, i cili nuk u realizua. Për një çështje politike kaq të madhe, ne nuk kemi qëllim që të përplasemi përmes mediave. Qëndrimi jonë është se konsensusi si mekanizëm për vendosje, posaçërisht për ngjarjet para dhe gjatë 24 dhjetorit, mund të keqpërdoret si mekanizëm për bllokim, pas të cilit Komisioni asnjëherë nuk do ta kryejë punën e vet".

Edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian është rekomanduar formimi sa më parë i komisionit hetimor për zbardhjen e ngjarjeve të 24 dhjetorit. Anëtarët e propozuar janë Bllagorodna Duliç dhe Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE dhe Renata Deskoska dhe Lubomir Fërçkovski nga LSDM-ja. Bedri Rexhallari