"Fiqiri Muça kishte qëllim ta trafikonte jashtë kufijve Nazime Vishën, për këtë arsye ajo e ka vrarë". Kështu kanë deklaruar në emisionin "Urbanika" prindërit e Nazime Vishës, Mejte dhe Beqir Visha. Babai i 18-vjeçares hedh fakte se Fiqiri Muça kishte edhe 3 vajza të tjera për të cilat kishte planifikuar t'i dërgonte për trafikim në Kosovë, por ato kanë shpëtuar.
Emisioni "Urbanika" ka shkuar për vizitë në shtëpinë e Nazime Vishës në fshatin Mal Vilëz, fshati i cili ndan Tiranën nga qyteti i Burrelit. Në këtë shtëpi varfëria ndjehet në çdo hapësirë. Nëna e Nazimes, Mejte Visha shprehet se ajo ende nuk mund ta besojë atë që ka ndodhur, për të është ende një ëndërr.
"Pasi Fiqiriu e rrëmbeu vajzën 10 ditë në pyll unë piva helm për të vrarë veten, por më shpëtuan njerëzit këtu afër. Më pas ne e dërguam vajzën tek gjyshja në fshatin Krrabë për ta siguruar dhe Fiqiriu i shkonte edhe atje. Ditën që e vrau ai i kishte shkuar atje dhe i kishte thënë hajde shpejt se do ikim në Kosovë se janë hapur kufijtë. Nazimja i ka thënë "Prit të marr disa rroba" dhe më pas ka dalë me armën në dorë duke e qëlluar", rrëfen nëna e Nazimes. Ajo apelon për më shumë humanizëm për vajzën e saj, për të ajo u mbrojt nga përdhunuesi i saj dhe nuk e vrau me dëshirë, por nga frika.