Listat, 24 deputete priten të hyjnë në parlamentin e ri

2015-08-21 6

TIRANE - Sa herë që ka zgjedhje, një nga premtimet është rritja e përfaqësimit të grave në politikë. Nga listat e kandidatëve në zgjedhjeve, rezultojnë se të dyja forcat politike kanë përfshirë kandidate femra në listat e tyre të zgjedhjeve, edhe pse vijojnë që të jenë në minorancë krahasuar me gjininë mashkullore. Pjesa më e madhe e kandidateve femra janë vendosur poshtë vijës së sigurisë në listat e kandidatëve duke ndihmuar subjektet vetëm në plotësimin e kuotës 30 për qind për t'i shpëtuar penalitetit.

Dy forcat e mëdha kanë kandiduar rreth 80 kandidate, ndërkohë që 14 priten të bëhen deputete nga PS-ja dhe 10 nga PD-ja. Në të dy subjektet kryesore politike rezultojnë se deputetet përgjithësisht janë rikandiduar, duke marrë besimin edhe për një mandat shtesë në qytetet ku ato kandidojnë. Një pjesë e kandidateve vijnë nga mjedisi politik, edhe pse disa prej tyre nuk janë shkëputur nga bota akademike. Kështu, deputetet Vasilika Hysi dhe Eglantina Gjermenji rikonfirmohen si kandidate në listat e Partisë Socialiste.

Në listë janë edhe deputetet që garojnë duke pasur në CV mandate të mëparshme deputeti, siç është deputetja Arta Dade, kryeparlametarja Jozefina Topalli, deputetja Mesila Doda, Majlinda Bregu etj. Kandidatja Jozefina Topalli ka rreth 15 vite në politikën aktive, ndërkohë që është edhe nënkryetare e PD-së, politikane mjaft e fuqishme sidomos për zonën e Shkodrës. Nga kampi i demokratëve vihet re kandidimi i ministreve dhe zv.ministreve të qeverisë Berisha, ndërsa nuk mungojnë edhe drejtueset e institucioneve të rëndësishme shtetërore.

Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Jorida Tabaku gjendet brenda zonës së sigurt, duke u katapultuar tashmë nga bashkia në parlamentin e ardhshëm. Elvana Hana është kandidate e PD-së, ndërkohë që është nga viti 2005 Drejtore e Përgjithshme e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Edhe bota e artit nuk mbetet pas, ku aktorja Luiza Xhuvani do të jetë sërish kandidate për siglën e PS-në në Qarkun e Vlorës, ndërsa demokratët kanë vendosur që të fusin në lista këngëtaren Greta Koçi. E ndërsa aktorja Xhuvani e ka të sigurt rimandatimin, këngëtarja Koçi renditet e parafundit në listat për Tiranën. Në listat e kandidateve femra të dy partive politike nuk mungojnë edhe ato që janë pak të njohura për opinionin publik për të cilat është tepër e vështirë që të gjesh të dhëna për karrierën e tyre profesionale.