Analistët: Milloshovski, porosi për BDI-në

2015-08-21 0

Ish Ministri i punëve të jashtme, Antonio Milloshoski me pesimizëm pret mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian në qershor. Në rrjetin social Tuiter ai ka shkruar se vendimi për Maqedoninë përsëri do të shtyhet për mbledhjen e radhës në dhjetor.

"Në qershor BE-ja përsëri do të shtyjë vendimin mbi bisedimet për pranimin e Maqedonisë për mbledhjen e ministrave në dhjetor, për shkak të pozicionit bllokues të Greqisë", ka shkruar Antonio Milloshovski në profilin e tij në Tuiter.
Komentin e tillë të Milloshovskit analistët e shohin si porosi indirekte për BDI-në, se ofensiva diplomatike e partisë së Ahmetit është e padobishme dhe pa efekt. Denko Malevski mendon se vizitat e BDI-së në SHBA dhe Athinë nuk do të ndikojnë për ndonjë pozicion më të mirë të diplomatik të Maqedonisë, nëse qëndrimet e BDI-së nuk janë të koordinuara me ato të VMRO DPMNE-së.
"Ajo porosi e ish ministrit është se vërtetë kot humbet kohë. Tani gjithçka varet se si kanë shkuar jashtë përfaqësuesit e BDI-së. Nëse ajo që thonë jashtë është në marrëveshje me VMRO-në, dhe nëse paraqiten jashtë si njerëz që flasin me një zë në politikën e jashtme, atëherë mund të ketë dobi nga këto vizita. Nuk mund të ketë zgjidhje, por mund të sjellin informata të reja. Nëse ky është tentim i BDI-së që ndaj pasivitetit total të VMRO-së të përgjigjen me një politikë të veten të jashtme atëherë është e gjykuar në mossukses, pasi gjërat e rëndësishme duhet të mbarohen këtu. Duhet të ketë pajtueshmëri në Qeveri", tha Denko Malevski, analist.

Ngjashëm mendon edhe analisti Hasan Jashari. Sipas tij, BDI-ja këtë ofensivë duhej ta fillonte në Maqedoni, në Parlament dhe Qeveri, duke kryer presion ndaj VMRO DPMNE-së sa i përket çështjes së emrit.

"Mendoj se aluzionet janë të qarta. Sigurisht se është një porosi e mirëfilltë për BDI-në. Sa i përket BDI-së është dashur që luftën të fillojë këtu, në Parlamentin e Maqedonisë, në Qeveri dhe pastaj të shkojë në SHBA. Mendoj se këtu duhej të rirenditen gjërat. Por nga ana tjetër nëse ju referohemi ngjarjeve të cilat kanë qenë prezentë disa vite me radhë, mund të vijmë në përfundim se edhe kryeministri Gruevski nuk e ka dashur euro-integrimin dhe shpesh është fituar përshtypja se ai pret dikë tjetër të hyjë në lojë. Në një farë forme të injorojë funksionarët dhe detyrimet që i ka ndaj Komisionit Evropian", deklaroi Hasan Jashari, analist.

Asnjë nga funksionarët e VMRO DPMNE-së deri tani nuk kanë komentuar zyrtarisht dhe në mënyrë direkte ofenzivën diplomatike të BDI-së. Benjamin Arifi