Ahmeti vazhdon ofensivën dipomatike, kërkon të mbyllet çështja e emrit

2015-08-21 1

Çështja e emrit edhe pse e vështirë, duhet të mbyllet sa më shpejtë, me gjetjen e një kompromisi mes dy palëve kontestuese. Kështu ka deklaruar lideri i BDI-së Ali Ahmeti gjatë ligjëratës së tij njëorëshe në Institutin për studime të larta "John Hopkins" në Uashtington. Ai theksoi se të gjitha të arriturat pas vitit 2001 janë arritur në partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, por, për ta rrumbullakuar këtë proces, duhet që bashkërisht ta integrojmë Maqedoninë në NATO dhe të fillojmë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Pengesa e vetme në këtë rrugëtim është zgjidhja e çështjes së emrit me fqiun tonë jugor ka deklaruar Ahmeti duke shtruar nevojën e angazhimit edhe më të madh të SHBA-ve në lehtësimin e procesit drejt gjetjes së kompromisit midis palëve në këtë kontest. Ahmeti u ka thënë mediave vendore se roli i shqiptarëve në Ballkan është tejet konstruktiv, ndërsa si dëshmi për këtë ka potencuar faktin që shqiptarët janë kombi i vetëm në rajon që nuk konteston identitetin apo historinë maqedonase.

"Pjesa dërmuese e shqiptarëve përmbahen ndaj një politike të qëndrueshme dhe jo në dëm të rajonit apo ndonjë populli brenda rajonit, pra popujt me të cilët ne kufizohemi. Shqipëria respekton integritetin dhe sovranitetin e Maqedonisë. Shqiptarët nuk kontestojnë identitetin dhe përkatësinë kombëtare të maqedonasve. Jemi i vetmi komb që nuk e kontestojmë identitetin e bashkëqytetarëve tanë dhe fqinjëve tanë" , deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Ali Ahmeti në fjalimin e tij është shprehur optimist për të ardhmen e Ballkanit, sidomos pas marrëveshjes Kosovë -- Serbi. Ai ka thënë se do të jep kontributin e vet për tejkalimin e kontestit të emrit dhe përshpejtimin e procesit të eurointegrimeve. Lideri i BDI-së ka folur edhe për të arritur politike të shqiptarëve në Maqedoni pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, duke theksuar se sfidë e ardhshme mbetet përmirësimi i statusit të gjuhës shqipe dhe përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i shqiptarëve në administratën shtetërore. Benjamin Arifi

Free Traffic Exchange