Bashkia e Shkodrës për të dënuarit: Pasuroni muzeun e diktaturës

2015-08-21 0

Bashkia e Shkodrës u bën thirrje ish-familjeve te persekutuara nga regjimi komunist të ndihmojnë në pasurimin e Muzeut të Vuajtjeve të Diktaturës Komuniste.

Tashmë, që ndërtimi fizik i muzeumit ka përfunduar, është parë e nevojshme sistemimi i tij dhe pasqyrimi i sa më shumë fakteve dhe dokumenteve, që vërtetojnë tmerrin e përjertuar nga ish-të dënuarit.

Për të arritur këtë qëllim, Bashkia bën apel familjeve të prekura nga sistemi komunist të kontribuojnë përmes objekteve dhe dokumente të ndryshme të asaj kohe. Drejtoresha e Urbanistikës pranë Bashkisë Shkodër, Aida Shllaku ka folur rreth ndërtimit të këtij muzeu por edhe fazës në të cilën ndodhet ky objekt.

"Gjithkush nga qytetarët që ka një material të shkrimit apo qoftë një veshje që e lidh me njerëzit e tyre të dashur është e vështirë që të shkëputesh dhe për ta dhënë në muze. Ne ju bëjmë thirrje qytetarëve të cilët kanë këto materiale është e rëndësishme, që këto materiale të ekspozohen se I përkasin jo vetëm familjes së tyre por dhe historisë së qytetit të Shkodrës", - tha drejtoresha Shllaku.

Qyteti i Shkodrës konsiderohet si më i prekuri nga diktatura. Pas 1944-ës në qytet numëroheshin 13 burgje të regjimit komunist, 601 të pushkatuar, 136 të vdekur në burgje, mbi 2800 të burgosur politikë dhe 1924 të internuar politikë. Muzeumi ështe ndërtuar në ish-godinën e Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, aty ku gjatë viteve të diktaturës janë burgosur e torturuar figura të njohura intelektuale të qytetit verior e më gjerë në nderim të shtresës që e vuajti më shumë atë regjim.