"I bëjmë thirrje Bashës të dorëzojë çelësat. Salla është hapësirë publike dhe jo pronësi e Bashkisë dhe Lulit. Mbledhja e datës 3 maj ishte e ligjshme dhe për të u ndoq gjithë procedura".
Këshilltarët e majtë të Këshillit Bashkiak të Tiranës i kanë bërë thirrje sot kryebashkiakut, Lulzim Basha dhe ish-kryetarit të Këshillit Bashkiak, Njazi Kosovrasti të mos mbajnë peng sallën e mbledhjeve të Këshillit dhe të hapin dyert e Bashkisë për të vazhduar punën normalisht.
Ata e quajnë të ligjshëm shkarkimin e Njazi Kosovrastit dhe emërimin në postin e kryetarit të Këshillit të Aldrin Dalipit.
"I bëjmë thirrje Bashës të dorëzojë çelësat. Salla është hapësirë publike dhe jo pronësi e Bashkisë dhe Lulit. Mbledhja e datës 3 maj ishte e ligjshme dhe për të u ndoq gjithë procedura. Votuan 31 këshilltarë për shkarkimin e Kosovrastit dhe emërimin e Aldrin Dalipit. Në datë 3 maj ishte dita ndërkombëtare e mediave. Nuk quhet dhunë të ftosh mediat dhe të bësh transparente atë votim", tha Genti Gazheli në emër të këshilltarëve të majtë.
Ata e kanë bërë këtë kërkesë në emër të nevojave të qytetarëve të Tiranës. "Këshilli Bashkiak do mblidhet, sepse aty janë interesat e gjithë qytetarëve të Tiranës. Problemi është më i gjerë. Është problem i halleve që kanë njerëzit. Sa më shpejt të mblidhet këshilli, aq më mirë është. Janë gjithë ata njerëz që presin të marrin rrogat apo të marrin kreditë dhe për këtë duhet një vendim nga këshilli i bashkisë". Ata kanë bërë të ditur se mbledhja do të thirret së shpejti nga Aldrin Dalipi.