Ministrat e BDI-së këtë javë në ofensivë diplomatike. Ministri Mbrojtjes, Talat Xhaferi sot po qëndron për vizitë pune në Turqi ku nga homologu i tij turk Ismet Jëllmaz mori mbështetje të fuqishme për integrimin e Maqedonisë në NATO. Ministri Xhaferi në një prononcim telefonik për Alsat-M, tha se takimi ka për qëllim këmbimin e përvojave rreth procesit të përmbushjes së standardeve për anëtarësim në NATO.
"Ambasada e Republikës së Turqisë nga 1 janari i vitit 2013 është kontakt ambasada për përgatitje të Republikës së Maqedonisë për anëtarësim në NATO. Në suaza të kësaj vizite të punës, ne do të bëjmë takime zyrtare siç theksova mes të cilëve edhe me ministrin e Mbrojtjes të Republikës së Turqisë që të mund të këmbejmë informata të duhura rreth procesit tonë të përmbushjes së standardeve. Gjithsesi se vazhdon mbështetja e Republikës së Turqisë për aspiratat e Maqedonisë për anëtarësim të fuqishëm në NATO për faktin siç thashë që Republika e Turqisë nga janari i këtij viti është edhe kontakt ambasada e Republikës së Maqedonisë në NATO", tha Talat Xhaferi, ministër i mbrojtjes.
Ndërsa ministri i Mbrojtjes, Talat Xhaferi po qëndron në Turqi, zv/kryeministri për çështje evropiane, Fatmir Besimi, të mërkurën më 8 maj do të qëndroj në Greqi ku do të takohet me ministrin e Jashtëm të Greqisë, Dimitris Avramopulos. Temë e bisedimeve do të jenë integrimet euro-atlantike të vendit dhe marrëdhëniet mes dy vendeve fqinje. Kohë më parë, zv kryeministri Besimi nuk bëri të ditur nëse do t'ia përcjell diplomatit grek qëndrimet e qeverisë rreth propozimit të fundit të ndërmjetësit Methju Nimic rreth çështjes së emrit, por tha se edhe problemi i emrit do të jenë një nga temat që do të shtrohen në tryezë. Besimi e cilësoi si të rëndësishëm takimin me autoritet greke në kohën kur kanë mbetur edhe 1 muaj deri tek samiti i qershorit të Këshillit të BE-së, kur shtetet anëtare do të vendosin nëse do t'ia japin apo jo këtë vit datën për fillimin e negociatave me BE-në. Me vizitën e Besimit në Athinë vazhdon praktika e takimeve të ministrave shqiptarë, me homologët e tyre grekë. Takimi i fundit u realizua në janar të vitit të kaluar në Athinë, kur ish zv/kryeministrja për çështje evropiane Teuta Arifi, u takua me homologun Theodoros Pangallos. Melihate Rustemi