Analistët: BDI po merr përgjegjësinë për emrin

2015-08-21 0

Ofensiva diplomatike e BDI-së për përshpejtimin e integrimit euroatlantik të vendit përveç përcjelljes së vullnetit të shqiptarëve para faktorit ndërkombëtarë, nga analistët shihet edhe si presion ndaj partnerit të koalicionit VMRO DPMNE. Duke komentuar vizitën e delegacionit të lartë të BDI-së të udhëhequr nga lideri Ali Ahmeti në SHBA dhe të zv/kryeministrit për çështje evropiane Fatmir Besimi në Athinë, analistët thonë se BDI-ja më në fund po merr përgjegjësinë dhe guximin që të kontribuon në zgjidhjen e çështjes së emrit.

"Verdikti që po jepet nga shqiptarët, në një mënyrë po e rrit edhe përgjegjësinë e BDI-së që të gjen forma dhe rrugë të cilat debllokojnë integrimet euroatlantike dhe definitivisht të gjendet në NATO dhe të fillojë bisedimet me BE-në. BDI-ja nuk është indiferente ndaj çështjeve që janë shtetërore por shkojnë edhe në interes të qytetarëve shqiptar. Faktori ndërkombëtarë, sidomos SHBA, e kanë të njohur se lideri i BDI-së e ka një mundësi që të bëjë një presion më të madh ndaj kryeministrit", tha Ismet Ramadani, analist.

Analistja Malinka Jordanova vlerëson se vizitat e Ahmetit në SHBA dhe të Besimit në Athinë janë përpjekje të sinkronizuara të BDI-së për dhënien e kontributit të saj për eurointegrimet, për të cilat partia e Ahmetit mban përgjegjësi si bartëse e resorëve kyçe integruese në Qeveri.
"Sigurisht bëhet fjalë për tentim të sinkronizuar, mos të themi presion, por tentim për të vepruar në drejtim të zgjidhjes sa më të shpejtë të emrit përmes partnerit të koalicionit BDI. BDI-ja ka përgjegjësi pasi ka resorin e eurointegrimeve kështu që nuk mund ti ikë përgjegjësisë. Sidoqoftë, angazhimi i tyre është pozitiv. Por duhet të kemi parasysh se çelësi i zgjidhjes është në dorën e Gruevskit", deklaroi Malinka Jordanova, analiste.

Analisti Mersel Bilalli vlerëson se marrja e përgjegjësisë së tillë diplomatike nga ana e BDI-së vjen si rezultat i pasivitetit të VMRO DPMNE-së sa i përket zgjidhjes së çështjes së emrit dhe progresit në eurointegrimet.

"Mendoj se pas shumë eskivimeve vite me radhë lidhur me zgjidhjen e çështjes së emrit, sikur në BDI është thelluar bindja se VMRO çështjen e emrit e shfrytëzon vetëm si pretekst për eliminimin e agjendës euroatlantike. Se kjo është ashtu mund të shërbejnë si dëshmi edhe dy fakte më të reja; e para deklarata e ministrit të jashtëm Poposki dhënë ditë më parë se nuk është e nevojshme të kemi fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe e dyta satanizimi i SHBA-ve sidomos pas Raportit të Stejt Departamantit. Mendoj se kjo është një tentativë shpresoj e fundit që të ushtrohet presion ndaj VMRO-së dhe Gruevskit", u shpreh Mersel Bilalli, analist.

Analistët vlerësojnë se me kalimin e kohës, presioni i BDI-së ndaj partnerit maqedonas në koalicion do të rritet dhe do të manifestohet edhe në forma të tjera. Benjamin Arifi

Free Traffic Exchange