Të dielën, ortodoksët kremtojnë Pashkët, ringjalljen e Krishtit

2015-08-21 5

Të dielën, besimtarët ortodoksë në mbarë botën kremtojnë Pashkët, ringjalljen e Krishtit. Dita e Pashkëve ortodokse nuk përkon me atë të Pashkëve katolike, pasi Kisha ortodokse ndjek kalendarin julian, jo atë gregorian. Për Kishën ortodokse, Pashka është festa më e rëndësishme që kremtohet në familje ose me miq.

Gjatë gjithë Javës së Madhe janë ndjekur kremtime të veçanta, në përkim me ngjarjet e Ungjillit. Në Greqi, gjatë së Shtunës së Madhe, kremtohet procesioni, pastaj Mesha e mesnatës, gjatë së cilës prifti troket tri herë në portën e madhe të kishës dhe kumton Ringjalljen e Krishtit. Këndohet himni i Ringjalles e në kishë përhapen gjethe dafine dhe besimtarët mbajnë në duar qirinj, të cilët duhet t'i çojnë ashtu, të ndezur, deri në shtëpi.

Në ish-vendet sovjetike, të Premten e Madhe shkohet në Kishë, ku bekohet ëmbëlsira tipike e Pashkëve e cila ngjason panetones së botës perëndimore, por pa rrush të thatë, ku janë vendosur edhe vezë të ziera të ngjyrosura me të kuqe.

Të krishterët ortodoksë në Lindjen e Mesme e përkujtojnë këtë ngjarje qysh në kohët e lashta ku Pashkët shënojnë kulmin e Javës së Shenjtë deri të dielën ku përkujtohet ringjallja e Jezusit tre ditë pas kryqëzimit të tij .

Shumë pelegrinë mblidhen të shtunën për të ndjekur Meshën e mesnatës, në Kishën e Varrit të Shenjtë në qytetin e Vjetër të Jeruzalemit ku besohet të jetë kryqëzuar Krishti e ku besimtarët besojnë se ai u varros për t'u ringjallur pas tri ditësh.