Të krishterët ortodoksë sot shënojnë të premten e madhe, ditën e vuajtjeve dhe vdekjes së Jezu Krishtit. Tregjet edhe sot ishin të stërmbushura me njerëz që blejnë atë që u nevojitet për festat e Pashkëve. Qytetarët thonë se blejnë aq sa kanë, por festa e cila është të dielën, doemos duhet të shënohet.
"Ka para, tani dhanë pension. Mish, produkte prej mishi po blejmë. Vezët janë shtrenjtuar për një denar".
"Krahasuar me vitin e kaluar, çmimet nuk janë rritur shumë".
"Ajo që na është më themelore e blemë. Sa kemi para - aq. Çmimet e festës nuk janë shumë të lira".
Ndërsa shitësit mbeten të fokusuar në fitimet. Për disa, biznesi këtyre ditëve ka filluar mbarë, festa ua ka rritur qarkullimin.
"Sivjet më së shumti blejnë dhe më së shumti kanë të holla".
"Shitja sot shkon shumë mirë. Trangujt u shtrenjtuan pesë denarë, por po shiten. Po blejnë, po i mbushin torbat qytetarët".
Nga ana tjetër, të tjerët shprehen se blerësit shkojnë prej tezge në tezgë -- në kërkim pas çmimit më të lirë. Qarkullimi është i vogël -- thonë, ndërsa çmimet -- të larta.
"Dobët. Shumë dobët ka qarkullim. Nuk ka para populli. Kur ka para blen, kur s'ka nuk do të blejë".
"Varet se kush si, dikush ka para dikush nuk ka. Ata që kanë, blejnë edhe dredhëza edhe tranguj edhe domate. Ata që nuk kanë do të shëtisin dhe do të kërkojnë më lirë".
Sipas gojëdhënave, E Premtja e Madhe quhet edhe E Premtja e Kryqëzimit meqë në këtë ditë është kryqëzuar Jezu Krishti. Kambanat nuk bien deri të dielën kur për herë të parë shpallet gëzimi i Ringjalljes së Krishtit. Sipas kanunit ortodoks, e Premtja e Madhe është agjërim rigoroz me ujë, ndërsa shumë besimtarë nuk pinë, nuk hanë deri në perëndim të diellit. Natasha Stojanovska