Kreu i BDI-së Ali Ahmeti konfirmoi takimin me ndërmjetësin për çështjen e emrit Methju Nimic në Nju Jork. Ahmeti dhe Nimic pritet të diskutojnë rreth propozimeve që shtroi diplomati amerikan në tryezën e bisedimeve gjatë raundit të fundit të negociatave mes autoriteteve maqedonase dhe greke në prill të këtij viti.
"Shpresojmë të shkëmbejmë informacione rreth zhvillimeve të fundit mbi negociatat për zgjidhjen e çështjes së emrit dhe ashtu siç i gjithë vendi dhe të gjitha partitë politike si dhe qeveria e Maqedonisë. Shpresojmë që të arrijmë një zgjidhje kompromisi me fqinjin tonë jugor që do të na hap rrugën për integrim të menjëhershëm në NATO dhe hapjen e bisedimeve me BE-në", tha Artan Grubi, Shef i Kabinetit të BDI-së.
Ahmeti i cili pritet të nis udhëtimin në SHBA më 4 maj do të realizojë takime edhe me zyrtarë të tjerë të lartë të Departamentit të Shtetit dhe Pentagonit.
"Përveç takimeve tani më të konfirmuara me nivele vendimmarrëse të politikë-bërjes amerikane në Pentagon dhe në Departamentin amerikan të shtetit, agjenda e kryetarit Ali Ahmeti u zgjerua edhe me takime të tjera, siç është janë pranim në Zyrën e zv/presidentit amerikan Xho Bajdën, pranin tek ambasadorja e SHBA-së në OKB si dhe drekë pune me ndërmjetësin në çështjen e emrit, Methju Nimic", tha Artan Grubi, Shef i Kabinetit të BDI-së.
Sipas BDI-së, vizita e funksionarëve të lartë të kësaj partie nuk ka të bëjë me zbutjen e toneve në kohën kur partneri më i madh qeveritar VMRO-DPMNE ka ashpërsuar retorikën anti-amerikane, pas publikimit të raportit kritik të Departamentit të Shtetit mbi gjendjen e lirive dhe të drejtave në Maqedoni. Sipas partisë së Ahmetit, kjo vizitë do të shërbejë për thellimin e bashkëpunimit mes kësaj partie me Administratën e SHBA-së si dhe për afirmimin e integrimeve euro-atlantike të Maqedonisë. Semra Jakupi