Ndërsa kryetari i Lidhjes së Sindikatave Zhivko Mitrevski shpjegonte suksesin e tij për përmirësimin e të drejtave të punëtorëve, një grup të rinjsh gjë gjendeshin në të njëjtën sallë ku mbahej konferenca, shprehën revoltën e tyre për të kundërtën. Ata nxorën parulla me mbishkrime se sindikatat i kanë tradhtuar shumë herë punëtorët. Pas thirrjeve, ata u larguan nga salla, ndërsa Mitrevski u përpoq të injoronte thirrjet e tyre.
Kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Mitrevski beson se sindikatat kanë arritur sukses, duke ruajtur punësimet në këtë kojë krize, pa shkurtime pagash apo rritje të moshës së daljes në pension. Sipas tij, në Maqedoni cdo gjë shkon për së mbari, ndaj është e kotë të protestohet në rrugë.
"Mbetemi të fokusuar në rezultatet që kemi pasur deri tani. Ne besojmë se do të kontribuojmë më tej, pasi agjenda jonë po jep rezultate, që do të thotë se protesta 1 ditore nuk jep rezultate. Kjo është demagogji e pastër që dikush dëshiron ta shesë", deklaroi Zhivko Mitrevski, kryetari i LSM-së.
Mitrevski nuk dha përgjigje konkrete nëse kjo do të thotë se nuk ka rezultate konkrete edhe tek udhëheqësit e Sindikatave të Bashkimit Evropian, të cilët në mënyrë masive për 1 majin, i nxjerrin punëtorët në rrugë. Vitin e kaluar në LSM u dorëzuan 2800 ankesa nga punëtorët, ndërkohë që nuk ka shifra mbi numrin e atyre që humbën vendin e punës, gjatë vitit të kaluar.
"Dukshëm është më i ulët, pasi numri i vendeve të punës është rritur. Ose, shifrat mund të jenë të parëndësishme. 6 % ishte rritje e punësimit, dhe më pak se 2 % largime", tha Zhivko Mitrevski, kryetari i LSM-së.
E ndërsa sot në shumë qytete evropiane punëtorët dolën në rrugë për më shumë të drejta, në Maqedoni ata u mblodhën në vende festime, apo pishimi. Skarë, birrë dhe disponim deri në valle e këngë
Televizioni Alsat pyeti qytetarët, se përse në Maqedoni nuk proteston askush?
"Sepse nuk kanë mend. Të kishin mend, tani ndoshta do ishin në protesta në rrugë".
"Kjo është një traditë e vjetër dhe njerëzit çdoherë i harrojnë protestat e një majit, dhe tani e shfrytëzojnë për piknik këtë moment. Duhet me pasur edhe protesta. Sepse kjo është për punëtorët, në fakt ata duhet të fitojnë të drejtën e cila u takon".
Në Maqedoni, nuk mbahen mend protesta masive për 1 majin. Një pjesë e punëtorëve fajësojnë sindikatat, sepse pothuajse çdo sindikatë lidhet me partinë në pushtet. Natasha Stojanovska