Ngjarja e pak ditëve më parë në Komunën e Dropullit të Sipërm në Gjirokastër ku humbi jeten i zoti i shtëpisë gjatë përleshjes më dy grabitës ka krijuar panik tek banorët e tjerë të zonës.
Ky fakt ka detyruar komunën të zhvillojë një mbledhje jashtë rendit të ditës me përfaqësues të prefekturës dhe policinë e qarkut. Ata kanë kërkuar të merren masa të rrepta nga rendi për sigurinë e jetës së banorëve.
"Në bazë të bisedimeve u arrit qëllimi besoj unë, por edhe sic u tha edhe nga policia e rendit duhet të bashkëpunojmë edhe ne me ta që t'i njoftojmë pa asnjë ngurrim", - Kryetari i Këshillit të Komunës.
Nga ana tjetër, përfaqësues të policisë së Gjirokastrës kanë kërkuar më shumë bashkëpunim nga ana e komunitetit për të parandaluar kriminalitetin.
"Nuk mund të luftojmë të vetëm krimin dhe nuk mund ta parandalojmë e vetme krimin pa komunitetin, jemi pjesë e juaj dhe duhet ta luftojmë së bashku, - tha Gentjan Mullai, zëdhënës i policisë.
Dy persona janë ndaluar nga Policia e Gjirokastrës, si autorë të dyshuar të ngjarjes së 13 prillit ku gjatë grabitjes së një banese humbi jetën i zoti i shtëpisë, Pandeli Magllarës gjatë përleshjes, që pati me ta pasi i pikasi.