'Gabimet', Xhaferi: Ka nevojë për institucion të gjuhës shqipe

2015-08-21 5

Rastet e fundit të bastardimit të gjuhës shqipe nuk janë të qëllimshme dhe të njëjtat vazhdimisht do të përmirësohen. Kështu tha zv/ kryeministri Musa Xhaferi, duke dhënë sqarime rreth gabimeve gjuhësore që hasen në mbishkrime ose broshura, përfshirë edhe institucione të ndryshme shtetërore. Xhaferi tha se nevojitet themelimi i një Institucioni cili do të përkujdeset për kultivimin e gjuhës. Xhaferi tha se nuk parashihet ndonjë ndryshim në Ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe për sa i përket masave sanksionuese, sikurse parasheh ligji për përdorimin e gjuhës maqedonase, gjoba prej 1 deri në 35 mijë denarë për personin juridik që do të lejojë publikimin e teksteve të pa-lekturuara.

"Përderisa nuk është krijuar një standard dhe një traditë këtu tek ne gjatë përkthimit formal zyrtar mund të ketë lëshime teknike, ne do ti përmirësojmë në vazhdimësi, ndoshta ka nevojë të ketë institucione të cilat përkujdesen për kultivimin e gjuhës që mos të bëhen kësi gabime teknike, mirëpo unë besoj se lëshimet nuk janë me qëllime të keq, janë lëshime në punë e sipër dhe falënderojmë edhe mediumet të cilat i detektojnë këto lëshime që të mund ti përmirësojmë. Ne do ta rishqyrtojmë atë çështje, unë besoj që ajo punë, kualiteti nuk përmirësohet vetëm me gjoba duhet me edukua kuadrin, duhet me qenë më të vetëdijshëm", tha Musa Xhaferi, zv/ kryeministër.

Ndërkohë vet përkthyesit profesional janë të mendimit se mungesa e kritereve për përkthyes sjell deri tek gabime të shumta në përkthim. Sipas tyre, përkthimin duhet ta bëjnë persona të licencuar.

"Për fat të keq, kohëve të fundit secili person është përkthyes nuk ka asnjë lloje kriteresh se cilët persona duhet ti bëjnë përkthimet cilësore, prandaj edhe ndodhin të gjitha këto gjëra. Është koha e fundit kur duhet të merret seriozisht kjo çështje dhe përkthimet të bëhen nga personat të caktuar dhe të dëshmuar në gjuhësi", tha Ismail Hamiti, përkthyes.

"Prej tash e tutje nuk do të lejohet për shkak se ka njerëz adekuat me certifikata që jemi trajnuar dhe punojmë të njëjtën punë", u shpreh Lumnije Hajdari, përkthyese.

"Përkthimet e fundit sidomos me ekspansionin e librave të Qeverisë që përkthehen dhe që mund të hasen gabime trashanike është vërtet për të ardhur keq. Shpresoj se në këtë drejtim, ne si përkthyes, ky staf që del tani i licencuar do të bëj diçka më tepër për të ndryshuar situatën në përgjithësi", tha Luljeta Klica, përkthyese.

Këto komente vet përkthyesit dhe zv/ kryeministri Xhaferi i bënë në ceremoninë e ndarjes së certifikatave të para për përkthyes, projekt ky i mbështetur nga Britania e Madhe dhe Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit. Me certifikata për përkthyes dhe interpretues profesionalë, janë pajisur gjithsej 53 kandidatë. Melihate Rustemi