Gostivar, RDK braktis konstituimin e këshillit

2015-08-21 4

Grupi i këshilltarëve të RDK-së bojkotoi sot seancën konstitutive të këshillit të komunës së Gostivarit. Përfaqësuesi i tyre Vesel Memeti e arsyetoi largimin, me zgjedhjet e korruptuara dhe jo demokratike për këtë komunë, të cilat sipas tij nuk janë të vlefshme.

"Zgjedhjet e fundit lokale kanë qenë zgjedhjet më të korruptuara që janë organizuar ndonjëherë për këta 22 vite pluralizëm në Maqedoni, në këtë mandate janë korruptuar dhe manipuluar mijëra qytetarë dhe është falsifikuar procesi zgjedhor. Shkaku i kësaj dhe shkaku i shkarkimeve të 7 drejtorëve të shkollave fillore dhe të mesme, shkarkime këto antiligjore dhe nuk janë respektuar këshillat e shkollave që janë institucion në vete, shkaku i këtyre argumenteve, grupi i këshilltarëve të RDK-së dënon ashpër këtë sjellje të ngjashme me sjellje të diktatorëve më të egër dhe ne këshilltarët e RDK-së në shenjë pakënaqësie dhe proteste lëshojmë këtë mbledhje të këshillit të komunës", tha Vesel Memeti, këshilltar i RDK-së.


Nga ana tjetër, kreu i Komunës së Gostivarit Nevzat Bejta e cilësoi largimin e tyre si akt jo demokratik sepse interesat e qytetarëve nga të cilët janë zgjedhur, duhet të mbrohen në këshill dhe jo me braktisjen e tij.

"Më vjen keq që këshilltarët nga radhët e RDK-së ikën nga mbledhja,mandatin nuk ua kanë dhënë qytetarët që të ikin -- mandatin ua kanë dhënë që të rijnë këtu dhe së bashku me ju të punojmë. Demokracia është e rregulluar në gjithë botën kështu si është e rregulluar,ata që fitojnë janë pozitë -- ata që nuk fitojnë janë opozitë. Por pozita dhe opozita duhet të bashkëpunojnë si këshilltarë apo më mirë të themi si deputetë kur bëhet fjalë për interesat e qytetarëve të Gostivarit se me ikjen e tyre ata nënçmuan qytetarët e Gostivarit", deklaroi Nevzat Bejta, Kryetar i komunës së Gostivarit.


Kryetar i Këshillit komunal të Gostivarit u zgjodh Nasir Musliu i cili ka qenë edhe bartës i listës për këshilltarë të BDI-së në Gostivar. Këshilli përbëhet nga 31 këshilltarë, 10 ka BDI-ja, 9 RDK-ja, 5 këshilltar VMRO DPMNE-ja, nga 2 kanë PDSH--ja dhe TDP-ja si dhe 3 këshilltarë ka LSDM-ja. Bashkim Sulejmani