Në raportin e fundit të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët thuhet se Greqia zë vendin e parë në botë përsa i përket rritjes së dhunës raciste gjatë vitit 2012.
Raporti paraqet 154 raste të akteve të dhunës të dokumentuara në vitin 2012, kryesisht në rajonin e Athinës, ku jetojnë shumica e emigrantëve.
"Kemi një rritje të numrit të sulmeve, por gjithashtu më shumë shqetësuese kemi faktin se kemi një përshkallëzim në tension të kësaj dhune edhe në përdorimin e armëve", - tha shefi i Komisionit Kombëtar për të Drejtat e Njeriut, Kostis Pappaioannou për agjencinë e lajmeve Reuters.
Pappaioannou bëri thirrje qeverisë greke, që të mbronte viktimat e sulmeve raciste e të ndëshkonte autorët.
Racizmi kundër emigrantëve është rritur për shkak të një krize shkatërruese ekonomike, që ka parë shkurtime pagash, rritje taksash e ulje pensionesh, duke lënë grekët të shqetësuar për të ardhmen e tyre, ndërsa emigrantët fajësohen për krimin në rritje nga grupe si partia Agimi i Artë neo-naziste.
Greqia është bërë një trampolinë për emigrantët kryesisht aziatikë dhe afrikanë në përpjekje për të hyrë në Evropë nëpërmjet rrugës detare dhe tokësore.
Incidenti i fundit u shënua javën e kaluar ku policia greke arrestoi tre shtetas grekë me akuzat, se qëlluan dhe plagosën më shumë se 20 fermerë emigrantë kryesisht nga Pakistani, që punonin në plantacionet e luleshtrydhes pasi kishin protestuar mbi pagat e papaguara.