Ziadin Sela edhe zyrtarisht kryetar i Strugës

2015-08-21 1

Ziadin Sela edhe zyrtarisht sot mori postin e kryetarit të Komunës së Strugës. Në prani të qindra qytetarëve, Sela mori certifikatën nga Komisioni Komunal Zgjedhor në Strugë për të drejtuar këtë komunë në katër vitet e ardhshme. Kryetari i Strugës Ziadin Sela edhe një herë akuzoi institucionet shtetërore se kanë kërcënuar dhe shantazhuar qytetarët e Strugës, ndërsa përgëzoi Komisionin Komunal zgjedhor në këtë qytet për punën e bërë.

'Shfrytëzoj rastin të përgëzoj Komisionin Komunal dhe kryetarin e këtij komisioni Xhingis Hani për punën e bërë,ishte ai nga ato pak institucione të shtetit të cilët u munduan me mish e me shpirt,që zgjedhjet të jen të qeta dhe demokratike. Po e përsëris dhe dua ta harrojmë sot,dhe shpresojmë që në të ardhmen mos na ndodhin gjëra të tilla,institucionet fatkeqësisht nuk ishin në nivelin e duhur dhe nuk ishin në anën e qytetarëve,shpresoj që këto të jen zgjedhjet e fundit ku qytetarët kërcënohen dhe shantazhohen, në vend që të festojnë dhe të jetë atmosferë festive. Na priftë e mbara,unë sot jam kryetar i gjithë qytetarëve të Strugës dhe do të shfrytëzoj këtë mandat katër vjeçar, pavarësisht bindjeve politike,fetare etnike", deklaroi Ziadin Sela, kryetar i Komunës së Strugës.

Në pranim dorëzimin e detyrës mori pjesë edhe ish kryetari i Strugës Ramiz Merko i cili kërkoi nga Sela që besimin e marrë nga populli të shfrytëzojë për të mirën e banorëve të Strugës. Kryetari i ri i Komunës së Strugës Sela nga ana tjetër tha se me kënaqësi ka pranuar këtë sfidë, që qyteti i Strugës të shndërrohet në perlë e turizmit në Ballkan.

"Urime kryetar i komunës së Strugës z. Ziadin Sela,do të kisha dëshiruar që të keni suksese dhe shëndet,sigurisht,besoj që dhe unë,por dhe ju,që të punojmë në interes të qytetarëve të Strugës,besoj që besimin e marrë do të jepni në interes të qytetarëve të Strugës. Urime dhe e gëzofshi mandatin", tha Ramiz Merko, ish kryetar i Strugës.

"Natyrisht që kjo është një sfidë të cilën unë me kënaqësi e pranova prej kur u kandidova për kryetar të Strugës,sepse Struga vërtet meriton të jetë perlë e turizmit në Ballkan. Në asnjë moment nuk do rresht që të punoj në drejtim të zhvillimit turizmit dhe thithjeve
të investimeve", u shpreh Ziadin Sela, kryetar i Komunës së Strugës.

Ziadin Sela në krye të Komunës së Strugës, vjen pas plotë tre raunde zgjedhjesh. Edhe pse ai në raundin e dytë fitoi kundër-kandidatin nga radhët e VMRO DPMNE-së, Gjykata Administrative kishte vendosur që në Strugë të votohej përsëri në nëntë vendvotime. Edhe në raundin e tretë Sela fitoi bindshëm me 6 mijë vota epërsi kundër-kandidatin e tij. Durim Etemi