Komisioni Evropian, miratoi sot propozimin që Serbisë t'i jepet data e fillimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës atë të fillimit të negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA). Propozimi u hodh pak orë pasi që Parlamenti i Kosovës miratoi marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa sot edhe Qeveria e Serbisë miratoi atë marrëveshje.
"Serbia dhe Kosova kanë provuar se, të dy këto vende mund të fokusohen drejt të ardhmes, në vend që të mbeten peng i të kaluarës. Në rekomandimin tonë të sotëm, qartësohet se Serbia dhe Kosova meritojnë të ecin përpara, drejt perspektivës së Bashkimit Europian. Ky është një lajm shumë i mirë, jo vetëm për njerëzit në Serbi, dhe Kosovë, por gjithë rajoni", u shpreh Shtefan Fyle -- komisionari i BE-së për zgjerim.
Propozimet e Komisionit Europian u diskutuan sot edhe në Këshillin e ministrave të jashtëm të vendeve të BE-së në Luksemburg. Kryesuesi me BE-në, ministri irlandez i punëve të jashtme Imon Gilmor tha se vendimi për Kosovën dhe Serbinë do të merret në qershor.
"Raportet e Komisionit Europian ishte në dispozicion sot në mëngjes, ato raporte do të shkojnë më tej, në shqyrtim, së bashku me rekomandimet e KE-së, dhe do ia kthejmë ato Këshillit, në muajin qershor, kur edhe pritet të ketë një vendim për këto dy shtete", tha Imon Gilmor - Kryesues me Këshillin e BE-së.
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Guido Westerwelle i ka bërë thirrje sot Beogradit dhe Prishtinës që të zbatojnë sa më parë marrëveshjen të cilën dy qeveritë e tyre e miratuan, pas parafimit të saj nga kryeministrat gjegjës. "Duam që ajo që është pajtuar mes Serbisë dhe Kosovës, tani të vihet në zbatim. Që të zbatohet vërtet në praktikë" ka thënë Westerwelle. Shefi i diplomacisë gjermane ka lajmëruar se për dhënien e datës për fillimin e negociatave për anëtarësim Serbisë, këtë temë duhet ta shtjellojnë qeveria dhe pastaj edhe parlamenti i Gjermanisë. "Tani gjëja më e rëndësishme është që ajo për të cilën u pajtuan të zbatohet. Kur të dimë rezultatet, dhe pasi që të zhvillojmë takime ditëve në vijim dhe të shohim se si po pritet ajo për të cilën janë marr vesh palët në të dy vendet, dhe se si po zbatohet, atëherë ne do të shkojmë në Parlament", tha ai.
Të premten Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje që u siguron serbëve në komunat veriore përgjegjësi në fushën e policisë dhe gjyqësisë. Marrëveshja thuhet se i hap rrugën normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve, që është kusht për përparimin e tyre drejt integrimeve evropiane. Shkëlzen Aqifi