Me 89 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, Kuvendi i Kosovës mbrëmë vonë miratoi rezolutën me të cilën mbështet marrëveshjen e arritur në dialogun me Serbinë. Vendimi është marrë gjatë një seance të jashtëzakonshme dhe nën tensione. Pas dy pauzave të shpallura, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi në mënyrë të shpejtë hodhi në votim rezolutën, ndërsa gjatë tërë kohës, para tij qëndronte deputeti i Vetëvendosjes Liburn Aliu i cili kërkonte të mos votohej, kurse deputetë të tjerë të këtij subjekti politik mbanin pankarta e lëshonin audio incizime të bisedave telefonike të kryeministrit me zyrtarët e PDK-së.
Më i zëshëm kundër miratimit të rezolutës ishte deputeti i Vetëvendosjes Rexhep Selimi.
"Kjo rezolutë është kundër interesave të qytetarëve të Kosovës, kjo rezolutë vetëm interesat e klaneve të Hashim Thaçit i mbron. Nuk mbron interesin e Kosovës, Nuk mbron interesin e pavarësisë së Kosovës. Mos e lejoni zoti kryetar, Jakup Krasniqi, mos lejo, mos lejo, mos lejo, sepse nesër do të jetë vonë. Sot është mëngjesi më i rëndësishëm për ata që kanë luftuar e punuar, qytetarët e këtij vendi, është mëngjesi më i rëndësishëm, është nyja, është udhëkryqi, është o me Kosovën jashtë Serbisë, o me Serbinë brenda Kosovës", deklaroi Rexhep Selimi, deputet i Vetëvendosjes.
Ndërsa Kuvendi po miratonte këtë marrëveshje, edhe para ndërtesës së Kuvendit, një grup i aktivistëve të Vetëvendosjes po protestonte dhe kërkonte nga Kuvendi të mos miratonte marrëveshjen. Protestuesve më pas iu drejtua edhe lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti.
"U bë një shkelje e rëndë procedurale ku përkundër gjithë kësaj, procedohej kurse asgjë s'po ndodh dhe pas ndërhyrjes edhe të disa truprojave u pamundësua aktiviteti i Vetëvendosjes i cili pengonte këtë akt shumë të turpshëm, shumë të padrejtë dhe shumë të dëmshëm që e çimenton Serbinë brenda Kosovës ndërkohë që nuk e njeh ende Serbia Kosovën", tha Albin Kurti, lider i Vetëvendosjes.
Rezolutën e mbështetën deputetët e partive tjera opozitare LDK e AAK. Ndërsa në raportimin e tij para deputetëve , kryeministri Hashim Thaçi tha se marrëveshje nuk ishte perfekt, por ajo siguronte fillimin e vendosjes së normalitetit në marrëdhëniet me Serbinë.
"Kjo marrëveshje konsolidon edhe më shumë tërësinë territoriale të shtetit tonë. Konsolidon institucionet tona të rendit dhe ligjit dhe na mundëson që ta avancojmë subjektivitetin shtetëror në arenën ndërkombëtare. Për më tepër, kjo marrëveshje e paqes mes Kosovës dhe Serbisë e forcon paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë dhe i hap Kosovës një perspektivë të qartë në procesin e integrimeve euroatlantike", deklaroi Hashim Thaçi, kryeministër i Kosovës.
Nga ana tjetër edhe Qeveria e Serbisë ka miratuar sot në mëngjes marrëveshjen e parë për parimet të cilat rregullojnë marrëdhëniet me Prishtinën. Ekzekutivi serb i ka udhëzuar ministritë gjegjëse, organizatave të veçanta dhe shërbimeve të qeverisë që të ndërmarrin të gjitha aktivitetet për zbatimin e marrëveshjes, si dhe të vazhdojnë zbatimin ...