Menjëherë pas rezultateve paraprake të komisionit zonal zgjedhor në Strugë, Ziadin Sela festoi fitoren për herë të tretë të kësaj komune, në fshatin Podgorcë. I pranishëm në festën e Ziadin Selës ishte edhe kryetari i partisë Menduh Thaçi.
"Unë nuk e di se si ta përshkruaj gëzimin dhe krenarinë që kam sonte, që jam në mesin tuaj, që e festoj fitoren këtu në Podgorcën shqiptare. Ju ishit ato që i treguat edhe njëherë VMRO-së Dhe LSDM-së, dhe ju na treguat që këtu, jo njëherë po edhe 100 herë t'i kthejnë votimet, përsëri jemi ne ata që do ti mundim dhe do i pyesim: A doni më?", tha Ziadin Sela, kandidati fitues i zgjedhjeve në Strugë.
"Është shumë interesante... prej fillimit mendoj se PDSH-ja ka dëshirë dhe punon që të fitojë betejat e rënda. Unë kam 3 arsye të mëdha që të jem i gëzuar për këtë fitore. E para është se fituan shqiptarët, nuk diskutohet. E dyta që jam i gëzuar që fitoj Ziadini se ashpërsisht e ka dashur fitoren në këtë betejë dhe këtë luftë dhe unë mendoj se kjo ju shpërblye. E treta është pak emocionale, kam pas shumë dëshirë të fitojë Ziadini, për shkak se të ndjerin Ali Riza Llogën që është daja i Ziadinit, e kam pas bashkëpunëtorin e parë që në 1993. Lavdi atij dhe gjithë njerëzve dhe prindërve tanë që prodhojnë
kësi djemsh të kombit si Ziadini. Suksese dhe faleminderit", tha Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.
Ziadin Sela, në përsëritjen e zgjedhjeve në 9 qendra votimi, mori 3168 vota, kundrejt 700 votave për Vllado Koçovskit. Në total, diferenca mes kandidatit të PDSH-së dhe kandidatit të përbashkët të VMRO DPMNE-së dhe LSDM-së, është 6072. Ziadin Sela mori 20 728 vota, ndërsa rivali i tij Koçovski, 14 676 vota. Durim Etemi