Berisha nuk lëshon pe për KQZ: Mendimet e Ramës marrëzi

2015-08-21 18

Kryeministri Berisha, njëkohësisht kreu i Partisë Demokratike nuk heq dorë nga qëndrimi ndaj KQZ, duke deklaruar se zëvendësimi i anëtarit të LSI-së Ilirjan Muho ishte i ligjshëm.

Ndërkohë që dy ditë më parë Drejtori për Europën Qëndrore dhe jugore i DASH, Jonathan Moore tha se "ka argumenta ligjorë që vënë në pikëpyetje votimin e parlamentit për zëvendësimin e një anëtari të KQZ-së" duke shtuar se Shtetet e Bashkuara duan të shohin KQZ-në të funksionojë.

"Koncepti i zotit Rama se meqenëse një parti e koalicionit qeveritar kalon në anën e opozitës, mendimi i tij se tani është edhe opozitë edhe qeveri, është thjesht marrëzi. Kushtetuta e vendit e ka te përcaktuar kush është qeveri dhe kush është opozitë. Në të gjitha ligjet e vendit balanca e institucioneve të zgjedhjeve është balancë midis qeverisë dhe opozitës. Ajo që patë në parlament dhe rreth shtëpisë së Kastriot Islamit është kultura dhe antikultura e liderit të opozitës për demokracinë"- tha kryeministri.

Ai akuzon Ramën se sërish vazhdon taktikën e bllokimit se vuan nga sindroma e "kleptomanisë". Sipas kryeministrit është Rama që kërkon të shtyjë zgjedhjet ndërsa jep garanci se ato do të zhvillohen sipas standardeve.

"Vazhdon me kërkesën të shtyhen zgjedhjet. Asnjë dite të vetme, mori përgjigjen përfundimtare. Çfarë tha dje, nëse humbas zgjedhjet nuk do njoh rezultatin se nuk kam mandatin e komisionit aty. Ky prap po kërkon skuzën që zgjedhjet i fitova por mi vodhën. Ky njeri vuan nga sindromi obsesiv i kleptomanisë. Çdo gjë i duket vjedhje, s'është faji im, është problemi i tij. Eshtë i nervozuar shumë, por ato janë
punët e tij. Ne garantojmë zgjedhje të lira e të ndershme."- u shpreh Berisha.

Berisha mblodhi sot në mbrëmje kryesinë PD për tu këshilluar për konsolidimin e koalicionit me të cilën do të shkojë në zgjedhjet e 23 qershorit. Ai bën thirrje për bashkimin në koalicion të partive të djathta dhe të qendrës së djathtë.

"Të gjitha partitë e spektrit të djathtë, të qendrës së djathtë do grupohen këto ditë me PD"- tha Berisha