Marrëveshja Kosovë-Serbi, mësim për Maqedoninë

2015-08-21 1

Pushteti në Shkup dhe Athinë duhet të merr mësim nga kompromisi shqiptaro-serb i arritur dje në Bruksel. Kështu vlerësojnë analistët duke tërhequr paralele mes dy kontesteve në rajon, atë mes Serbisë dhe Kosovës që më në fund mori epilog, dhe atë mes Maqedonisë dhe Greqisë, që ka të bëjë me emrin kushtetues të Republikës së Maqedonisë. Analisti Ismet Ramadani mendon se autoritetet në Shkup, e sidomos kryeministri Gruevski, duhet të tregojë gatishmëri për marrjen e vendimeve të mëdha dhe për arritjen e kompromiseve, përndryshe do të rritet presioni ndaj tyre.

"Kjo është një mësim i mirë për lidershipin në Maqedoni, të cilët definitivisht duhet ta kuptojnë se vetëm me një dialog serioz, vetëm me një qasje serioze për problem, për kontest, dhe me kompromis që në një moment ndoshta duket i dhimbshëm, por megjithatë kur hap perspektivë, kur garanton ardhmëri për qytetarët e Maqedonisë, duhet të tregohet vendosmëri dhe aftësi lidershipi. Besoj se ky presion do të rritet mbi lidershipin maqedonas, sidomos tek kryeministri Gruevski dhe në një mënyrë do të detyrohet, ose do të tregon nivel të një lideri që bie vendime të mëdha, qofshin ato të dhimbshme në moment, ose do të jetë i detyruar të largohet dhe tu hap rrugën atyre që janë të gatshëm të marrin vendime të cilat i hapin perspektivë euro-atlantike Maqedonisë", deklaroi Ismet Ramadani, analist.

Analisti Denko Malevski thotë se marrëveshje Kosovë-Serbi vetëm pak kohë pas luftës së ashpër në Kosovë tregon se nuk ka çështje që nuk mund të zgjidhet. Sipas tij është koha që edhe Maqedonia të ndjek trendin ballkanik, pajtimin me fqinjët dhe rrugëtimin e përshpejtuar drejt euro-integrimeve.

"Mbetet që udhëheqësia jonë politike të merr mësim për atë se kah po shkon rajoni me shpejtësi, ti marrin punët në duart e veta dhe të na shtynë në atë drejtim. Dialogu shqiptaro-serb tregoi se është edhe plagët më të rënda mund të shërohen. Vetëm 10 vite pas tragjedisë së madhe njerëzore që ndodhi në Kosovë, shqiptarët dhe serbët në Kosovë mund të marrin pjesë në ndarjen e pushtetit dhe të jetojnë njëri pranë tjetrit. Nga kjo duhet të mësohet, dhe të fillojmë edhe ne pajtimin me fqinjët tanë dhe zgjidhjen e problemeve me kompromis", tha Denko Malevski, analist.

Të dy analistët parashikojnë rritje të presionit ndërkombëtar ndaj Shkupit dhe Athinës, ndërsa shprehen optimistë se sipas modelit shqiptaro-serb do të zgjidhet edhe kontesti rreth emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë. Benjamin Arifi