Gruevski: Raporti i KE-së për Maqedoninë është i suksesshëm!

2015-08-21 0

Në prononcimin e parë pas publikimit të raportit të KE-së për Maqedoninë, kryeministri Gruevski tha se ky raport jep shpresë që vendi të lëvizë para në procesin eurointegrues. Kryeministri Gruevski nuk shpreh ndonjë optimizëm euforik sa i përket marrjes së datës për bisedime në qershor. Sipas tij, fillimi i bisedimeve nuk varet vetëm nga Maqedonia.

"Z. Gruevski, raporti ishte mesatarisht inkurajues, por nga z. Fyle kishte një 'POR'. A prisni deri diku raport të njëjtë në qershor, apo prisni marrje të datës për fillimin e bisedimeve"

"Ne do të punojmë maksimalisht që të shkojmë përpara, vendi dhe qytetarët të lëvizin përpara sa i përket euro-integrimeve, por të presim raportin dhe të shohim se çfarë do të ndodh. Kuptohet qëllimi ynë është që të fillohen bisedimet, por duhet të pritet dhe të shohim se çfarë do të ndodh, sepse në fund të fundit nuk varet vetëm prej nesh. Nëse do të varej vetëm prej nesh me siguri diku në vitin 2009 do të fillonim negociatat" , tha Nikolla Gruevski, kryeministër.

Gruevski tha se baronesha Eshton nuk ka bërë kurrfarë presioni mbi Qeverinë e Maqedonisë për të zgjidhur çështjen e emrit. Sipas Gruevskit, baronesha Eshton ka konstatuar se kjo çështje duhet të zgjidhet sa më shpejtë.

"Zonja Eshton në një farë mënyre shprehi nevojën e zgjidhjes së shpejtë të çështjes së emrit, me çka pajtohemi edhe ne. Megjithatë, që të zgjidhet kjo çështje, duhet të gjendet zgjedhje e përbashkët e cila do të jetë e pranueshme për Maqedoninë dhe qytetarët e saj", deklaroi Nikolla Gruevski, kryeministër

Kryeministri Gruevski nuk deshi të parashikojë nëse deri në qershor do të zgjidhet kriza politike në vend dhe Komisioni Hetimor për ngjarjet e 24 dhjetorit në Kuvend të tregohet i suksesshëm. Çështjen zgjidhjes së krizës politike në vend, dje e komentuan edhe komisionari për zgjerim i BE-së Shtefan Fyle dhe baronesha Ketrin Eshton, e cila dje qëndroi për një vizitë në Shkup. Benjamin Arifi