Tetovë, shfaqet komedia 'Morri'

2015-08-21 6

Komedia 'Morri' e autorit kroat Ivo Breshan do të shfaqet nesër në skenën e Teatrit të Tetovës. Drejtori i këtij institucioni Valmir Aziri, e quajti shfaqjen, një nga më të mëdhatë e realizuara ndonjëherë në këtë skenë.

"Është premiera e parë për vitin 2013 dhe do të jetë një prej shfaqjeve më të mëdha që janë ekzekutuar në Teatrin e Tetovës. Kjo shfaqje patjetër që do jetë një ogur i mirë për teatrin tonë, sepse bashkëpunimin që kemi pasur deri më tani me regjisorin Sulejman Rushiti kemi mbetur të kënaqur nga ky bashkëpunim por edhe publiku tetovar ka mirëpritur këto shfaqje. Shfrytëzoj rastin të njoftojë publikun edhe për dy projekte të tjera që do vihen në skenë në teatrin tonë, çifti i çuditshëm nga autori Neil Simon dhe regji të Ilir Vokshit dhe projekti i tretë është Dialog me Mikun Ateist nga Mustafa Mamulli dhe regjia e Fadil Hysës", tha Valmir Aziri, drejtor i Teatrit të Tetovës.

Regjisor i shfaqjes është Sulejman Rushiti, ndërsa vetë shfaqja, në përmbajtjen e saj paraqet gjendjen post-komuniste të ish Jugosllavisë, e cila është përshtatur me situatën aktuale politike në vendin tonë.

"Është një nga tekstet shumë të mira të një autori shumë të njohur dhe që është vënë edhe në skenat e tjera shqiptare. Shfaqja konkretisht trajton çështje të aktualitetit post socialist respektivisht komunist të hapësirave Jugosllave, por ne jemi sigurisht jemi munduar ta bëjmë më të afërt për spektatorin tonë që të rezonojë edhe me shikuesin shqiptar, pa i heq dhe shtuar asnjë pikë apo presje dramaturgjisë së autorit Ivo Breshan", deklaroi Sulejman Rushiti, regjisor.

Për skenografinë e shfaqjes është kujdesur Argjend Karai, kostumet janë realizuar nga Marija Pupuçevska dhe muzika është përgatitur nga Teuta Halimi. Shfaqja 'Morri' është premiera e parë e këtij viti që vihet në skenë, në Teatrin e Tetovës. Bashkim Sulejmani

Free Traffic Exchange