Situata e tensionuar, shtyhet votimi për shkarkimin e komisionerit

2015-08-21 0

Pas 3 orëve pritje të deputetëve nëpër korridoret e Kuvendit dhe në oborrin e Parlamentit, duke kalkuluar votat nëse do miratohej apo jo shkarkimi dhe zëvendësimi i anëtarit të LSI-së , kryetarja e Kuvendit nisi seancën duke lexuar rendin e ditës.

Në të nuk ishte përfshirë votimi i zëvendësimit të anëtarit të LSI-së, i cili u shkarkua dje në komisionin e Ligjeve vetëm me votat e mazhorancës.

Seanca në Kuvend ishte planifikuar të niste në orën 10:00 por nisi në 13:15. Gjatë më shumë se 3 orëve pritje jashtë parlamentit deputetët e PS, LSI e PBDNJ, e cilësuan veprimin e Partisë Demokratike antikushtetues dhe në shkelje me ligjin. Kryetari i LSI-së Ilir Meta tha se ishte një sjellje diversante dhe jo politike ndërkohë që kryetari i grupit parlamentar Lefter Koka tha se veprimi tensiononte situatën politike.

Nga ana e saj Partia Republikane i dorëzoi zyrtarisht kandidaturat për të zëvendësuar Ilirjan Muhon. Ata janë Klement Zguri dhe Patriot Çobo.

Debatet përfshinë dhe KQZ-në, e cila u mbyll pasi anëtarët e propozuar nga PS e PBDNJ u larguan nga mbledhja duke u shprehur kundër këtij veprimi. Ndërkohë që ambasadori I BE-së dhe OSBE-së u shprehën se do të shqyrtonin veprimin e PD-së.