Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi në një komunikim me SMS me deputetin e PD Fatos Hoxha ka përdorur një zhargon banal për Avokatin e Popullit Igli Totozani, duke thënë se ai mbron homoseksualët. Mesazhi është kapur nga kamerat televizive.
Dy figura të rëndësishme politike siç është ajo e ministrit të Drejtesisë Eduard Halimi dhe deputeti demokrat Fatos Hoxha janë zhveshur nga serioziteti që të jep kostumi dhe kollarja e politikanit vetëm një ditë më parë në komisionin e ligjeve gjatë një komunikimi mes tyre me mesazhe.
Kamera e A1REPORT! ka fokusuar zhargonin e përdorur mes dy personaliteteve ndërsa ironizojnë figurën e Avokatit të Popullit dhe kauzën që ai mbron. Igli Totozani gjatë seancës në Komisionin e Ligjeve ka shprehur propozimet e tij për ndryshimet dhe shtesat në Kodin Penal sa i takon të drejtave të homoseksualëve dhe dënimin e homofobeve.
Por falenderimet e Totozanit ndaj personave që kanë punuar për paketën e ndryshimeve në Kod kanë sjellë dhe talljen e dy bashkëbiseduesve Halimi-Hoxha. Deputeti demokrat Fatos Hoxha i shkruan ministrit të Drejtësisë përmes "sms" me fjalët "po month, por 6 herë tha falenderoj", duke iu referuar fjalës falenderuese të Totozanit drejtuar deputetëve për paketën ligjore.
"Ca thua ti more, ai mbron bq mos e thuaj shumë se do na hapen llafe" kështu i shkruan me "sms" ministri i Drejtësisë Eduard Halimi deputetit demokrat Hoxha, edhe pse nuk ka qenë vetë prezent në sallën e Komisionit për mbështetjen që Avokati i Popullit i jep këtij komunitetit duke qëndruar kështu në linjën e atyre që janë kundër homoseksualëve.
Këto janë 'sms' që kanë shkembyer dy personalitet të cilat janë kapur nga kamera në telefonin e "Backberry" të deputetit Fatos Hoxha. Fjalë të cilat nuk janë të denja as për zhargonin e njerëzve të rrugës, e jo më pjesë e fjalorit të dy deputetëve, njëri prej të cilëve i dubluar dhe me postin e ministrit të Drejtësisë, që pagën e merr për të bërë drejtësi.
Kjo nuk është hera e parë që fotoreporterët kapin biseda mbi çështje të ndryshme. Kujtojmë këtu 'sms' që Hysen Osmanaj, anëtar i KQZ i drejtohej në atë kohë sekretarit organizativ Flamur Nokës në zgjedhjet e 2011.