Propozimi i Nimicit shqetëson grekët!

2015-08-21 0

Shkupi zyrtar nuk deshi të zbardhte sot detaje rreth propozimit të ri të ndërmjetësit Metju Nimic për çështjen e Emrit. Kryeministri Nikolla Gruevski tha se qëndrimi i qeverisë do të bëhet i ditur vetëm kur propozimi të hyjë në fazën serioze.

"Dje morëm ide të reja nga Nimic të cilat po i analizojmë, por nuk do t'i komentojmë me qëllim që të mos fajësohemi se po e dëmtojmë procesin që po drejton ndërmjetësi Nimic dhe OKB-ja... kuptohet në një fazë më serioze, sigurisht që do t'i ndajmë këto ide në opinion", tha Nikolla Gruevski, kryeministër.

Edhe pse zyrtarët e vendit nuk dhanë asnjë sinjal nëse propozimi i ri shkon në favor të Maqedonisë apo jo, zërat e parë nga Athina thonë se qeveria greke ka mbetur e pakënaqur nga propozimi i ri i Nimicit. Sipas informacioneve jozyrtare të mediave greke, propozimi i ri i Nimicit ka të bëjë me një përcaktim gjeografik që qëndron përpara fjalës Republikë, gjë që për Greqinë është e papranueshme. Nga ana tjetër spekulohet se propozimi i ri ka të bëjë me .. "Republika Veriore e Maqedonisë" apo "Republika e Epërme e Maqedonisë". Sipas të përditshmes greke 'Kathimerini', Athina është e habitur, e pakënaqur dhe e shqetësuar nga propozimi i ri, i cili përmban përcaktim gjeografik, por është në kundërshtim me kërkesat e saj. Duke cituar burime të saj në OKB, Kathimerini shkruante se edhe kërkesa për 'Erga Omnes' e Greqisë cenohet, pasi emri i ri nuk do të përdorej në bazë të Erga Omnes, por me një 'përdorimin të gjerë të mundshëm'. Nga ana tjetër pas takimit të përbashkët me dy negociatorët Jovlevski dhe Vasilaqis një ditë më parë, Nimic tha se në tryezë ka shtruar një propozim të ri, të cilin shpreson se autoritet në Shkup dhe Athinë do ta shqyrtojnë më seriozitet.

"Ne patëm një diskutim të zakonshëm rreth çështjes së emrit dhe ngjarjeve në rajon dhe u prezantova të dyja palëve, disa ide të reja nga ana ime, një propozim të ri, dhe kërkova nga ambasadorët Jolevski dhe Vasilakis t'ua përcjellin qeverive të tyre dhe me siguri ato do të shqyrtohen me kujdes. Unë shpresoj se të dyja palët do të gjejnë elemente pozitivë në këtë propozim, i cili shpresoj se do të hap rrugën për diskutime serioze dhe do të çojë tek zgjidhja. Ne do të takohemi sërish, unë do të shkoj në rajon , këtu apo diku tjetër me qëllim që t'i ndjekim këto ide", Metju Nimic, ndërmjetës i çështjes së emrit.

Një ditë pas takimeve në Nju Jork, sot presidenti grek Papuljas priti në një takim ministrin e Jashtëm Dimitris Avramopulos, për të biseduar rreth zhvillimeve në politikën e jashtme greke por edhe çështjen e emrit. Semra Jakupi

Free Traffic Exchange