TIRANE- Partia Socialiste përgatit një projekt rezolutë alternativë e cila parashikon përfshirjen e çështjes çame si çëshje politike në marrëdhëniet diplomatike dy palëshe mes Shqipërisë e Greqisë. Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama doli sot në një prononcim për median nga selia PS për të informuar se PS do të prezantojë një projekt rezolutë alternative për zgjidhjen e çështjes çame duke e nxjerrë nga terri i konfliktit, për ta adresuar me dinjitet dhe në mënyrë evropiane.
Propozimi i PS-së vjen në kohë kur aktualisht në komisionin e Jashtëm diskutohet pr/rezoluta e propozuar nga Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet e Shpëtim Idrizit.
"Duke e konsideruar çështjen çame si një çështje të patrajtuar në kuadër të çështjes shqiptare në Ballkan; Duke u mbështetur në frymën e Traktatit të Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë; Ne, përfaqësuesit e popullit në Kuvendin e Shqipërisë, e konsiderojmë çështjen çame, një çështje politike, e cila duhet adresuar në përputhje me normat e gjithëpranuara të së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.
Për këtë, i kërkojmë Këshillit të Ministrave ta përfshijë si çështje politike në marrëdhëniet diplomatike dypalëshe me Greqinë dhe të raportojë dy here ne vit pranë Kuvendit të Shqipërisë, për ecurinë e kësaj çështje."- tha Ramaduke shtuar se shpresonte se me këtë draft të gjenden arsyet për ta nxjerrë këtë çështje nga terri i konfliktit dhe për ta adresuar me dinjitet. (ad.ti/shqiptarja.com)